Irsa Ruçi studimet e larta i kreu për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës (2008 – 2011) e diplomuar me Medalje Ekselence, si një nga studentët më të mirë të atij fakulteti ndër vite. Kreu studimet Master Shkencor për Marrëdhënie me Publikun (2011-2013), diplomuar sërish me Medalje Ekselence, duke qenë përgjatë viteve universitare pjesë e rrjetit të ekselencës në Rektoratin e Universitetit të Tiranës.
Fill pas studimeve, Irsa u emërua pedagoge me kohë të pjesshme në fakultetin ku studioi, e disa muaj më vonë nisi punë në Kryeministri, si pjesë e stafit të fjalimshkruesve të atij institucioni. Ajo ka mbajtur postin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar për Rininë, institucion ky i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Irsa është themeluese e kompanisë Heik sh.p.k. (PR & Media Company), që ofron shërbime në fushën e komunikimit, fjalimeve, artikujve dhe shkrimeve sponsorizuese dhe gjithashtu krijon fushata marketingu dhe marrëdhenie me publikun.
Irsa Ruci ( foto personale)
Irsa është autore e librave: Trokas mbi ajër (poezi dhe ese), Pë(r)shtjellim (poezi), Urat e bashkimit (antologji me përkthimin e rreth 50 autorëve ndërkombëtarë), Poezia e absurdit (poezi të botuara në mbi 100 antologji dhe revista ndërkombëtare) dhe është nominuar për Pushcart prize 2016 (SHBA); dhe Best of the Net (Kanada).
Sapo ka botuar dhe librin e parë me tregime, bazuar në histori të vërteta fëmijërie.
Në moshën 17 vjeçare, fitoi Çmimin e parë në Shqipëri, si poetja më e mirë. Aktualisht, është duke dhënë kontributin e saj në fushën e marrëdhënieve publike, me studimin dhe përgatitjen për botim të një tjetër libri që ka lidhje me punën e saj në auditor dhe disiplinën e “Të folurit në publik”; si dhe është angazhuar si eksperte e arsimit, pas një fushate disa mujore në terren me mësues, prindër e të rinj; duke propozuar mediatikisht disa reforma ne sistemin arsimor.
CMG: Si e shihni vetën përballë një pasqyre e cila tregon të vërtetat për ju?
Irsa Ruçi: Secili prej nesh ka shkallë vetëvlerësimi në ndërgjegje, të cilat i nxit për të arritur synimet për jetën. Gjatë procesit të rritjes nuk kthej kurrë kokën pas për të parë çfarë kam bërë mirë apo keq. Arrij t’i tejkaloj të gjitha gjërat në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi jam natyrë moskokëçarëse dhe në këtë formë nuk arrij të kthej kokën pas. Nuk më tremb asgjë në jetën time. Unë jam shumë e zakonshme dhe nuk kam asgjë për të fshehur dhe ky fakt më jep shumë paqe pasi më bën të fluturoj drejt ëndrrave të mia aty ku shpirti im lundorn.
Irsa Ruci ( foto personale)
CMG: Si kanë qenë vitet tuaja të karrierës?
Irsa Ruçi: Kam qenë produkt i një pune shumë të madhe. Që në moshë të hershme kam skalitur mendimet dhe normalisht asokohe ishin fëminore, por ideja që duke punaur do merrja fuqi në jetë unë arrita që të jem një njeri produkt i besimit. Të gjitha gjerat arrihen vetëm nëse punon. Njësoj jam përshtatur në vitet e studimit, duke shprehur që ekselenca është mburojë për të ardhmen time.
Mbaj mend një detaj nga koha e diplomimit tim në fund të ciklit të studimeve, natyrisht që kisha ëndrra apo edhe frikë nga ëndrrat. Gjatë një dite unë po bëja një ecje me motrën time dhe ajo më thotë, ku dëshiron të punosh?
Unë i them se do kisha ëndërr të punoja në grupin e kryeministrit për t’i hartuar fjalimet, por ajo reagon shumë çuditshëm pasi i duket një ëndërr shumë e madhe. Ndërsa unë pas dy muajsh isha atje, duke punuar në atë zyrë ku unë kisha ëndërr për të qenë.
Ka qenë një përvojë pune që unë e vlerësoj shumë sepse më mësoi shumë dhe më ofroi një disiplinë shumë të lartë. Këtu kam një mesazh shumë të madh që do doja ta lexonin të gjithë ata që kanë ëndrra në sirtar, mos ndaloni kurrë së besuari tek shkëlqimi i ëndrrës suaj!
Kam një vullnet të madh dhe zell për punën. E rëndësishme për mua është edhe puna me studentët e rinj, po kaq e rëndëishme edhe letërsia pasi ka pasur një ndikim shumë të madh tek unë. Kur realiteti përpiqej te vidhte te bukurën tek unë letërsia dhe poezia më mbronte.
Irsa Ruci ( foto personale)
CMG: A jeni ju produkt i ëndrrave tuaja?
Irsa Ruçi: Jo unë nuk jetoj për ëndrrat, por për realitetin. Nuk kam kohë të ndaloj në ëndrra, pasi më duhet të kap kohën në kohën e duhur. Unë besoj tek ëndrrat por nuk fokusohem tek to, e përqafoj jetën në formën që ajo me vjen.
CMG: Cili ka qenë një moment i vështirë në jetën tuaj që ju ka shërbyer si mësim?
Irsa Ruçi: Momente të vështira ka gjithmonë, por e rëndësishme është të dimë të kapëcejmë çdo gjë. Ne duhet t’i përgjigjemi vullnetit për t’i kaluar gjërat. Unë nuk e them këtë qëllimisht, por dua t’iu them që shpesh pastroj vetveten nga çdo ndjesi negative. Është ky një proces që e dua shumë tek vetja, e lë veten të lirë për të shkarkruar të gjitha ato emocione negative dhe të jem pozitive.
Ndaj në kujtesë ruaj vetëm kujtime të bukura pavarësisht që mund të kem kaluar sprova të vazhdueshme. Madje është një shprehje popullore që thotë, ‘O Zot pa halle mos më lër vetem halle mbi halle mos me vendos!’.
Kur njeriu i kapërcen vështirësitë në jetën e tij kupton forcën që ka. Një moment shumë të vështirë ka qenë të isha larg gjysheve të mia, momente të cilat unë i kam përjetuar me mall, për të cilat sido të jetë kujtesa i ruan si momente të vështira.
Irsa Ruci ( foto personale)
CMG: Cila do ishte këshilla që do t’ua ofroje të rinjve?
Irsa Ruçi: Do doja shumë që të rinjtë të ishin të lirë, liria është paqe. Vetëm mendjet e lira nuk manipulohen dhe vetëm një njeri i lirë di të japë mirësi. Mos u ndalni kurrë ne vrullin për të besuar që ata kanë në dorë armën më të fortë që është ‘Rinia’ dhe të mos ankohen që dikush tjetër po ua prish rininë e tyre.
Ata kanë në dorë energjinë me të cilin mund të krijojnë realitetin që duan të krijojnë për veten dhe të ardhmen. Duhet të investojnë në dije.
Të rinjte duhet të jene të aftë të depërtojnë në treg. Nga ana tjetër duhet të bëjmë një thirrje edhe për prindërit, sepse ata duhet t’i mësojnë që të shohin përtej asaj që është moda apo le të themi atë që bën shumica, ata duhet të shohin çfarë sheh një fëmijë dhe çfarë e përmbush një fëmijë dhe më pas ta ndihmojë në përmbushje. Asnjëherë nuk i dihet së ardhmes ndaj duhet të besojnë tek talent i fëmijëve.
Vetëm nëpërmjet talentit do mundet të jenë të treg. Diferencën e bën vetem dikush që ka diçka speciale ndryshe nga të tjerët. Asnjë nuk ka më shumë vlerë se vetvlerësimi sepse rritet me besimin se e nesërmja është shpresë dhe do jetë më e mirë.
CMG: Cila është marëdhënia që ju keni me librin, si një lexuese por edhe eksperte arsimi?
Irsa Ruçi: Unë kam nisur të shkruaj që fëmijë dhe ja di vlerën fjalës dhe shijen shkrimit. Është shumë e rëndësishme të rritemi, duke kuptuar se sa i rëndësishëm është libri dhe leximi mbi të gjitha. Për atë që shkruan, libri është si një krijesë dhe një përgjegjësi e jashtzakonshme. Një autor është shumë i brishtë përbri librit të tij. Ndërsa një lexues duhet të jetë i hapur për libra dhe tituj të rinj. Unë lexoj shumë dhe në heshtje. Për mua leximi është çlodhje pas një ditë të lodhshme.
CMG: A jeni idealiste?
Irsa Ruçi: Jam aq shumë sa shpesh pendohem për këtë gjë. Nuk do doja që të kisha iluzionin si hap por, për të qenë e sinqertë idealizmi ma ka shpërblyer moralisht. Unë kam ngjitur shkallët e karrierës duke qenë idealiste.
Shpesh i ushqej vetes bindjen që duhet të përshtas veten në shoqërine që jetoj. Ideali nuk duhet të të ushqejë vetëm shpirtin, por edhe stomakun. Ndonjëherë jam idealiste më shumë se duhet dhe kjo të zhgënjen.
CMG: Si do ta quanit fazën e jetës në të cilën po jetoni ?
Irsa Ruçi: Jam në një grumbull emocionesh shumë të bukura. Jam në pritje të fëmijë së parë dhe shpesh mendoj a do t’ia dal të jem një nënë e mire?!
Shpesh kam lexuar libra ku autorët thurrnin letra për vajzat e tyre dhe mendoja pse unë nuk e ndieja të njëjtën aftësi për të shkruar diçka të tillë?
Ndërsa sot kuptoj që dilema shtrohet kur ti e jeton atë ndjesi. Por e them me bindje që po jetoj fazën më të bukur të jetës sime.
Intervistoi: Megi Latifi