Festivali Kombëtar “Sofra Dardane”
2023-05-16 10:17:41


Është mbajtur për tre netë me rradhë  në Bajram Curri eventi i përvitshëm “Sofra Dardane”, i cili këtë vit ishte në edicionin e tij të 20-të.  

Festivali Kombëtar “Sofra Dardane” përcolli për qytetarët tingujt e lahutës së Malësisë, muzikë folklorike, këngë dhe valle nga trevat shqiptare. Tashmë qyteti i Bajram Currit është kthyer në djepin e folklorit të këngëve dhe valleve popullore, duke sjellë edicionin e 20-të të  “Sofrës Dardane” ku morën pjesë mbi  500 artistë. Ky është një nga eventet që mbi të gjitha transmeton mesazhin e ruajtjes së vlerave të popullit tonë. Artistët e pranishëm u paraqitën me kostume popullore të larmishme, parakaluan në rrugët e qytetit, e  duke sjellë entuziazëm tek të pranishmit. Gjatë netëve folklorike u dëgjuan edhe tingujt e instrumentit historik të veriut, lahutës së Malësisë.

“Sofra Dardane” është një ndër festivalet e muzikës folklorike të veriut që bën bashkë çdo vit, artin e muzikës shqiptare nga të gjitha trevat organizuar nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar dhe Bashkia Tropojë. “Sofra Dardane” u nderua për herë të parë këtë vit nga pjesëmarrja e artistit Xhevat Limani, i cili ka folur për këtë veprimtari në një intervistë për Radio Ejani.

CMG: Javën që shkoi ju ishit i ftuar special i Festivalit “Sofra Dardane” e mbajtur në Bajram Curri. Flasim për prezantimin tuaj?  

Xhevat Limani: Këtë javë që shkoi isha i ftuar në “Sofrën Dardane” në Bajram Curri, në Tropojën e vjetër me ftesën e Presidentit të “Sofrës Dardane” dhe të shoqatës së Unionit Shqiptar, Asgan Haklaj dhe sekretares dhe veprimtares Enida Çami. Nuk mund t’i thoja “jo” kësaj ftesë, pasi më kërkuan që Gjergj Kastrioti Skenderbeu  të prezantohej edhe në “Sofrën Dardane”. Erdhi koha kur unë mora pjesë me një monolog në mbrëmjen finale.  Por përpara se të interpretoja në natën e tretë, isha i ftuar edhe në natën e parë ku solla vargjet “Ti Shqipëri” të Naim Frashërit dhe publiku më priti me shumë duartrokitje. Por surpriza ishte në natën e tretë ku përcolla monologun e Gjergj Kastriot Skënderbeut, personazh të cilin e luaj në kuadër të shfaqjes “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”  poemës dramatike, nën përkujdesjen e Teatrit Shqiptar në Amerikë nën autorësinë time. Pata një prezantim triumfal, një pranim shumë të ngrohtë nga publiku , në mënyrë të veçantë edhe nga personalitete të artit dhe kulturës, të cilët pata rastin edhe t’i takoja.

CMG: Çfarë ju bëri përshtypje në atë festival?

Xhevat Limani: Ajo që më la përshtypje së fundi në këtë aktivitet ishte, anatomia gjenetike e popullit të Tropojës që dëshmon vazhdimësi pellazgo-ilire-dardane të kombit tonë dhe për pastërtinë e gjakut, të zemrës, të sofrës, të bukës. Ajri i pastër, uji kristalor, por qielli hyjnor, e bëjnë atë popull më tepër se popull hyjnor, si pjesë e pandarë e kombit shqiptar. Prezenca ime aty ishte si një dëshmi që artisti duhet ta njohë popullin  e vet dhe  kjo ishte njohja e fundit e anës së malësorëve, pas njohjes së arbëreshëve. Në mozaikun e njohjes së popullit tim mendoj se u bë një rrumbullakësim i idesë në kuptimin artistik, meqë artisti ka nevojë ta njohë popullin e vet. Ky është një vizion i qartë dhe artistik.

Çfarë mund të them më tepër për ato valle të bukura, për atë fluturim shqiponjash, për ata njerëz aq fisnik dhe për ato maje e shkrepa ku shqiponjat kanë folenë, por edhe për ata njerëz të ndershëm e kryelartë që duan aq shumë atdheun. Uroj që  të ketë festivale të tjera si këto sepse këto  festivale kanë misionin dhe vizionin dhe pikat e bashkimit mes shqiptarëve. Këto aktivitete duhet të kenë gjithmonë mbështetje nga Ministria e Kulturës dhe shoqatat. Rroftë kombi shqiptar, rroftë shqipëria, ashtu siç e do Perëndia!

Biografi

Artisti Xhevat Limani, i lindur në 1 janar 1953 në Fierishtë (Strugë).Aktori i parë profesionist ndër shqiptarët e Maqedonisë  së Veriut dhe jo vetëm aktor, por dramaturg dhe regjisor. Ka luajtur rreth me dhjetra premiera teatrore dhe ka prezantuar artin shqiptar nëpër botë. Është mirëpritur gjithmonë  nga publiku , por edhe është vlerësuar  nga kritika teatrore. Si regjisor ka realizuar mbi 30 vepra dhe është shpërblyer me dhjetëra herë si aktor dhe si regjisor.  Realizoi mbi 30 filma dokumentarë dhe shtatë telepoema. Ka botuar librat «Pranverë dimërore» - poezi, «Albaniada» - tetë drama «Ora shqiptare», “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” poemë dramatike, “Triumfi” roman jetësor (shqip-anglisht),etj.  Themelues i disa festivaleve dhe institucioneve artistike,  ndër to edhe themelues i Fakultetit të Aktrimit në Universitetin e Tetovës në vitin 1994.  Që prej vitit 2002 jeton në SHBA ku ka themeluar edhe drejton “Teatrin Shqiptar në Amerikë”. Aktorja e Hollywood-it Vanessa Redgrave e ka cilësuar atë si Laurence Olivier shqiptar. Premiera e parë «Anatema» u luajt në New York (Dany Kay Playhouse Theater) dhe vazhdoi të shfaqet në 17 shtete amerikane me mjaft sukses. realizoi kryepoemën kombëtare «Gjergj Kastrioti Skenderbeu» si autor komplet (autor i tekstit, regjisor, aktor), në bashkëpunim me regjisorin Michael Tylo, që përjetoi premierën në 16 nëntor 2012 në Tiranë në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë, 18 nëntor në Prishtinë dhe 20 nëntor në Shkup. Ai ka luajtur mbi 100 projekte aktrore dhe mbi 7000 shfaqje, në mbi 50 shtete të botës. Ka fituar shumë tituj ndër to edhe  dekoriminnga ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir MetaJeton dhe vepron në New York, Chicago, Los Angeles, Prishtinë, Tiranë, Shkup e Strugë dhe prezanton me dinjitet artin shqiptar nëpër botë.

Intervistoi: Sava Lena