Hapet ekspozita Kinë-Vendet e EQL-së, të dy palët gati për një të ardhme të përbashkët
2023-05-16 10:54:42

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Disa ditë më parë një kontingjent mallrash nga Bullgaria mbërriti në Ningbo të Kinës Lindore. Ky është kontingjenti i parë i mallrave nga vendet e Europës Qendrore e Lindore (EQL) për në Ekspozitën e 3-të Kinë-Vendet e EQL-së (CCEEC EXPO).

 

Masat e reja përgatitore

 

Këtë herë, tema e ekspozitës është “Thellimi i bashkëpunimit praktik, për një të ardhme të përbashkët”. Pala organizatore bën të ditur që sivjet numri dhe llojet e mallrave të ekspozuara janë rritur krahasuar me të kaluarën dhe i gjithë procesi i zhdoganimit dhe dërgimit të mallrave të huaja është siguruar me një mekanizëm më të volitshëm dhe më të shpejtë.

 

Këtë vit, dogana e Ningbo-së për herë të parë ka marrë masat e kontrollit paraprak dhe ka krijuar një mekanizëm të reagimit të shpejtë, çka ka shkurtuar efektivisht kohën e regjistrimit dhe të dërgimit për në këtë ekspozitë.

 

Zv.guvernatori i provincës Zhejiang, Lu Shan, bëri të ditur që zyrtarët e 7 vendeve të EQL-së dhe përfaqësues të ambasadave të 13 vendeve të EQL-së në Kinë do të marrin pjesë në këtë veprimtari. Gjithashtu, krahas Ekspozitës Kinë-Vendet e EQL-së, do të zhvillohet edhe Panairi i 24-të i Investimeve dhe i Tregtisë i Zhejiang-ut.

 

Ndryshe nga herët e kaluara, ekspozita e sivjetshme do të zhvillohet në një ndërtesë të re, Qendrën Ndërkombëtare të Konferencave e Ningbo-s, ku do të përdoret 100 % energji e gjelbër.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

 

Mallrat përfaqësuese nga vendet e EQL-së

 

Këtë herë në Ekspozitën Kinë-Vendet e EQL-së do të zhvillohen 27 aktivitete kryesore, të cilat mbulojnë tregtinë, shkencën e teknologjinë, turizmin dhe shëndetësinë. Në qendrën e ekspozitës do të ketë tre zona kryesore: Zona e EQL-së, Zona e Mallrave të Konsumit dhe Zona e Mallrave të EQL-së.

 

Ndër këto tre zona, ajo e mallrave të EQL-së është më e vizituara nga blerësit kinezë dhe të huaj. Në këtë zonë shfaqen një kontingjent i madh agroproduktesh nga vendet e EQL-së dhe vizitorët mund të shijojnë çokollata, mish, qumësht, pije alkoolike etj.

 

Përveç pijeve dhe ushqimeve, në këtë zonë janë përmbledhur edhe markat e famshme të vendeve të EQL-së, si ato të kozmetikës nga Polonia, Bullgaria dhe Greqia, të sendeve artistike të kristalit nga Çekia dhe të produkteve kimike të përdorimit të përditshëm nga Polonia.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Një tjetër element kryesor që do të shfaqet në këtë ekspozitë është teknologjia. Vendi i ftuar i nderit, Hungaria, ka përgatitur një “mur magjik”, ku vizitorët mund të kërkojnë të dhënat në një platformë me prekje elektronike, duke u rrethuar nga efektet teknologjike pamore. Në zonën e ekspozimit janë vendosur edhe disa avionë me pamje të bukur, material të lehtë dhe krahë të gjatë. Vendet e EQL-së kanë epërsi të veçantë në teknologjinë e aviacionit dhe, gjatë viteve të fundit, Kina dhe këto vende e kanë shtuar bashkëpunimin në këtë drejtim. Projekti çeko-kinez i avionit “Shark” ka filluar në zonën e bashkëpunimit Kinë-EQL në Cangzhou të Kinës Veriore dhe projekti i avionit “Batplane” të Sllovenisë ka nisur në Kinë dhe është projekti më i madh i bashkëpunimit kino-slloven.

 

Stimulim për tregtinë dhe bashkëpunimin Kinë-EQL

 

Përveç mallrave të pasura, në Ekspozitën Kinë-Vendet e EQL-së është krijuar një zonë e posaçme për tregtinë e shërbimeve, çka konsiderohet si një simbol që bashkëpunimi mes Kinës dhe vendeve të EQL-së do të pasurohet më tej me një sferë më të gjerë dhe cilësi më të lartë.

 

Në vitin 2017, Kina dhe vendet e EQL-së kanë krijuar zonën e demonstrimit për bashkëpunimin ekonomik-tregtar ndërmjet të dy palëve pikërisht në qytetin Ningbo, me synim që të nxiten lidhjet ekonomike dhe tregtare ndërmjet Kinës e vendeve të EQL-së.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kryetari i bashkisë së Ningbo-s Tang Feifan u shpreh që, gjatë këtyre vjetëve, kjo zonë demonstrimi në Ningbo ka realizuar “katër përparime të reja” në importin nga vendet e EQL-së për në Kinë, investimet nga Kina në vendet e EQL-së, procesin e lehtësimit të importit dhe shkëmbimet e dyanshme njerëzore, të cilat kanë mbuluar tregtinë, automjetet, energjitë e reja, produktet bujqësore, transportin, logjistikën, si edhe arsimin, kulturën e turizmin.

 

Ningbo, si organizatore e Ekspozitës Kinë-Vendet e EQL-së dhe zonë demonstrimi  për bashkëpunimin Kinë-EQL, ka marrë masa të shumta, si krijimi i pavijoneve të posaçme në platformën e tregtisë elektronike, duke stimuluar konsumin e mallrave të EQL-së me një vlerë prej mbi 30 milionë juanësh. Tani, mallrat e EQL-së njihen më gjerësisht nga konsumatorët kinezë.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Krahas ekspozitës, Ningbo ka inkurajuar ndërmarrjet vendore të merren më aktivisht me biznes me rajonin e EQL-së dhe deri tani, numri i ndërmarrjeve që importojnë nga vendet e EQL-së është mbi 1 mijë dhe numri i ndërmarrjeve të produkteve bujqësore është afro 80. Me këto ndërmarrje, Ningbo ka nxitur më tej lidhjet tregtare ndërmjet Kinës dhe vendeve të EQL-së dhe, gjatë këtyre vjetëve, në mënyrë të pandërprerë, ka bërë edhe shumë prova administrative me platforma, sisteme, politika dhe tregues të posaçëm. Për Kinën dhe EQL-në, Ningbo dhe Ekspozita Kinë-Vendet e EQL-së kanë një mision të veçantë dhe, në bazë të këtij qyteti dhe kësaj ekspozite, bashkëpunimi Kinë-EQL gjendet përpara një të ardhmeje të përbashkët. (Jiang Lei)