Kina dhe Eritreja kundërshtojnë veprimet e hegjemonizmit dhe ndërhyrjes
2023-05-16 12:03:02

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Gjatë takimit të hënën në Pekin, udhëheqësit e Kinës dhe të Eritresë u shprehën se të dy vendet kundërshtojnë veprimet e hegjemonizmit dhe të ndërhyrjes.

Me ftesën e presidentit kinez Xi Jinping, homologu i tij eritreas Isaias Afwerki po bën një vizitë shtetërore në Kinë.

Gjatë bisedimeve, presidenti Xi theksoi se Kina e vlerëson politikën e jashtme të pavarur e autonome të Eritresë dhe e përkrah këtë vend afrikan të kërkojë rrugën e zhvillimit në përputhje me kushtet kombëtare, duke mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe interesat e vet të zhvillimit.

Xi Jinping-u theksoi se Kina kundërshton ndërhyrjen e huaj në punët e brendshme të Eritresë dhe sanksionet e njëanshme ndaj këtij vendi. Kina dëshiron të shkëmbejë përvojën e qeverisjes me Eritrenë, tha ai, duke shtuar se të dy palët duhet të vazhdojnë ta përkrahin njëra-tjetrën dhe të kundërshtojnë unilateralizmin e kërcënimet, duke mbrojtur interesat e përbashkët të tyre dhe të vendeve në zhvillim në tërësi.

Nga ana e tij, presidenti Isaias Afwerki u shpreh se vendet afrikane përballen ende me hegjemonizëm dhe me trajtime të ndryshme të pabarabarta e të padrejta. Kina ka paraqitur gjithmonë projekte të zgjidhjes së krizave për të mbrojtur barazinë e drejtësinë. “Bashkësia ndërkombëtare beson se Kina do të japë kontribut më të madh për zhvillimin e njërëzimit dhe barazinë e drejtësinë ndërkombëtare,” theksoi presidenti Afwerki.

 Në vitin 2022, marrëdhëniet ndërmjet Kinës e Eritresë u ngritën në nivelin e partneritetit strategjik, ndërsa më 24 maj të këtij viti do të jetë 30-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve.

Gjatë bisedimeve të së hënës, presidenti Xi Jinping u shpreh se Kina inkurajon ndërmarrjet kineze të investojnë në Eritre dhe është e gatshme për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e infrastrukturës, telekomunikacionit, bujqësisë, minierave etj. Ai e falënderoi Eritrenë edhe për dhënien e ndihmës për tërheqjen e shtetasve kinezë nga Sudani.

Duke folur për bashkëpunimin kino-afrikan, Xi Jinping theksoi se Kina dëshiron të punojë me Afrikën për të nxitur arritjen e më shumë rezultateve në bashkëpunimin dypalësh.

 Ai shtoi se bashkëpunimi kino-afrikan luan një rol të rëndësishëm drejtues në bashkëpunimin Jug-Jug e në atë ndërkombëtar me Afrikën. Në situatën e re, forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Kinës e Afrikës për kapërcimin e vështirësive është më i domosdoshëm se kurrë. (Fani)