Diplomati i lartë: Zhvillimi i Kinës, forcë në rritje për paqen e qëndrueshmërinë botërore
2023-05-16 16:04:36

Foto nga MPJ

Zhvillimi i Kinës është një forcë në rritje për paqen dhe një faktor gjithnjë e më i rëndësishëm për qëndrueshmërinë botërore, tha të hënën drejtori i Zyrës së Komisionit të Punëve të Jashtme të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së Wang Yi.

Gjatë bisedimeve në Pekin me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë Peter Szijjarto, diplomati i lartë kinez vlerësoi politikën miqësore të Hungarisë ndaj Kinës, duke thënë se kjo është në përputhje me interesat e vendit dhe popullit të tij, interesat e përbashkët të Kinës e të Evropës dhe prirjen e kohëve.

Wang vuri në dukje se të dy vendet e kanë respektuar, besuar, kuptuar dhe mbështetur njëri-tjetrin, duke i çuar marrëdhëniet dypalëshe në periudhën më të mirë në histori.

Ai përsëriti përkrahjen e Kinës për autonominë strategjike të Evropës, duke u bërë thirrje vendeve të BE-së, përfshirë Hungarinë, të mbrojnë multilateralizmin e vërtetë, të nxisin demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ta bëjnë sistemin e qeverisjes globale më të drejtë dhe më të arsyeshëm.

Bashkëpunimi hungarezo-kinez dhe evropiano-kinez është mundësi e jo rrezik, tha nga ana e tij Peter Szijjarto, duke mirëpritur shtimin e investimeve kineze në Hungari. Sipas tij, pala hungareze është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fusha të ndryshme, për t'i ngritur marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve në një nivel të ri.

Ministri i Jashtëm hungarez vlerësoi gjithashtu përpjekjet e Kinës për gjetjen e një zgjidhjeje politike të krizës së Ukrainës.