Ngrirja e përkohshme e pagesave të TVSH-së, ndihmë për eksportet shqiptare
2023-05-16 10:00:24

Banka e Shqipërisë (Foto BSH)

Banka e Shqipërisë (Foto BSH)

Më 12 maj 2023, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj prezantoi planin e masave në mbështetje të kompanive eksportuese, në kushtet e emergjencës së pasojave nga zhvlerësimi i euros në tregun e brendshëm valutor.Qeveria shqiptare do të përgatisë një Akt Normativ të posaçëm, i cili përmban  masa konkrete për kompanitë eksportuese.

Ministria e Financave do të ngrijë për eksportuesit pagimin e kësteve të tatimit mbi fitimin për periudhën e mbetur të vitit 2023, ose shtatë muaj. Kështu, eksportuesve do t’u hiqet një barrë jo e vogël. Për t’i ndihmuar edhe më shumë, qeveria angazhohet t’ua rimbursojë, pra t’ua kthejë mbrapsht Tatimin mbi Vlerën e Shtuar brenda 3 ditëve dhe jo 30 ditëve, sa e ka afatin ligjor rimbursimi, në mënyrë që t’i kenë në dispozicion këto fonde sa më shpejt.

Me kursin zyrtar të këmbimit, të publikuar nga Banka e Shqipërisë më 12 maj, euro zbriti në tregun tonë të këmbimit në 110.63 lekë. Që nga fillimi i këtij viti, kursi i këmbimit të euros ka rënë me 3 përqind, ndërsa krahasuar me muajin maj të një viti më parë, zhvlerësimi i euros ka arritur tashmë në 8.1 për qind.

Ky shvlerësim përbën një goditje të fortë për eksportet shqiptare, të cilat në vitin 2022, sipas INSTAT, arritën në 487 miliardë lekë ose 4.4 miliardë euro, duke u rritur me 32 përqind, në krahasim me një vit më parë. E gjithë kjo rritje rrezikon të zerohet gjatë këtij viti, për shkak të gjendjes shumë të vështirë të eksportuesve.

Ata nuk mund të ngrejnë çmimin e mallrave dhe shërbimeve të tyre me 8.1 përqind, sa kanë humbjen vjetore nga kursi i këmbimit të euros me lekun. Eksportuesit të ardhurat i kanë në euro, ndërsa shpenzimet i kryejnë në lekë. Po të ngrejnë me 8 përqind çmimin, 90 përqind e eksportuesve i humbasin automatikisht tregjet e tyre, nga konkurrenca e fortë në rajon.

Ndikimi i euros (Foto Konica.al)

Ndikimi i euros (Foto Konica.al)

Nga ana tjetër, eksportuesit duhet të përballojnë vështirësitë nga rritja e çmimeve të lëndëve të para dhe nga mungesa e fuqisë punëtore dhe domosdoshmëria për të ngritur pagat, që të mbajnë specialistët e tyre në punë.

Ministria e Frinancave dhe Ekonomisë, së bashku me Bankën e Shqipërisë, janë konsultuar gjerësisht me përfaqesuesit e shoqatave të eksportuesve, për të kuptuar problemet e tyre.

Në konferencën për shtyp të 12 majit 2023, Ministrja Ibrahimaj njoftoi edhe ngritjen e grupit të përbashkët të punës mes Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë dhe eksportuesve, me qëllim analizimin më tej të situatës, kryerjen e parashikimeve të ndikimeve nga zhvlerësimi i euros dhe hartimin e masave të reja.   

Disa nga masat e propozuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave mund të jenë instrumente mjaft të dobishme, për të lehtësuar situatën për eksportuesit.

Masat e propozuara nga Shoqata e Bankave të Shqipërisë, në konsultim me bankën qendrore të vendit, lidhen me krijimin e mundësive për të pasur më shumë likuiditet, para letër për eksportuesit, nëpërmjet ristrukturimit të kredive që eksportuesit kanë marrë, me qëllim zgjatjen e kohës së pagesës së kësteve të huave(maturitetit të kredive), duke ulur kështu kostot e bizneseve eksportuese, të paktën për një periudhë afatshkurtër.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Foto Ministria e Financave dhe Ekonomisë)

Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Foto Ministria e Financave dhe Ekonomisë)

Ndërkohë, një tjetër instrument i dobishëm mund të ishte edhe lidhja e kontratave “forward”, pra me kusht, ndërmjet bizneseve eksportuese dhe bankave, për të pasur njëlloj sigurie mbi ndryshimet e kursit të këmbimit në të ardhmen, për kontratat që do të lidhen mes eksportuesve dhe klientëve të tyre jashtë vendit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomise Delina Ibrahimaj theksoi se këto dhe të tjerë masa dhe instrumente do të diskutohen në takimet teknike në vijim, mes përfaqësuesve të shoqatave të eksportuesve, të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe të Bankës së Shqipërisë.

Me nisjen e sezonit turistik të verës, pritet që të rritet akoma dhe më shumë prurja e monedhës së përbashkët evropiane në vendin tonë. Kjo, pasi, sipas operatorëve turistike, pronotimet për turizmin e organizuar janë në rritje me 35 përqind për këtë vit, ndërsa ato për turizmin individual me 15 përqind. Në tërësi, pritet një prurje eurosh për periudhën qershor-shtator 2023, të paktën 20 përqind më e madhe se sa prurja në vitin 2022.

Një sasi e tillë e shtuar e eurove në tregun e këmbimit valutor të Shqipërisë do të sjellë uljen e mëtejshme të vlerës së këmbimit të euros, në raport me lekun shqiptar, në atë masë sa eksportuesit po përgatiten që një euro të shkojë edhe baraz me 100 lekë. Në këto kushte, qeveria dhe banka jonë qendrore duhet të provojnë të gjitha mjetet dhe instrumentat që kanë në dispozicion, për të ndihmuar eksportuesit tanë.

Fatos Çoçoli