Ornela Vorpsi është një artiste shqiptare, emrin e të cilës e kemi parë të shkruar mbi kopertina librash të diskutuar, poshtë tablove të prezantuar nëpër ekspozita, apo poshtë fotografish të sigluara me emrin e autores së tyre. Shkrimtare, piktore apo fotografe, është e pamundur të definosh përkatësinë e saj. E larguar nga atdheu pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Arteve për pikturë, Ornela Vorpsi sot nuk është vetëm një piktore, por mbi të gjitha shkrimtare shumë e pëlqyer.
Së fundmi, Vorpsi ishte e ftuar në Londër, për të marrë pjesë në “Fill Festival”, një festival i letërsisë dhe ideve që bashkon shkrimtarë dhe mendimtarë me prejardhje të ndryshme për të diskutuar letërsinë, politikën, migrimin, përkthimin dhe temat bashkëkohore. Vorpsi ka shkruar shumë libra ku ngërthehen ngjarjet familjare, personale me historinë e vendit të saj të origjinës, prandaj ajo ishte e ftuar që të fliste rreth këtyre eksperiencave. Tipar i letërsisë së saj janë temat shqiptare të fëmijërisë dhe rinisë, të trajtuara me vërtetësi, plot ndjeshmëri të lartë dhe stil fin.
Vorpsi nisi t’i shkruante romanet e saj fillimisht në gjuhën italiane, por më vonë edhe në frëngjisht. Ornela Vorpsi nuk ka preferuar që asnjë nga romanet e saj ta shkruajë në gjuhën shqipe. “Nuk sajoj gjë. Ajo çka shkruaj është ajo ç’më ka ndodhur, ose ç’kam parë”, është shprehur ajo.
Me librin “Shqipëria, vendi ku nuk vdiset kurrë” (“Il paese dove non si muore mai”), botuar në Itali në vitin 2003, Vorpsi ka fituar çmime letrare. “Shqipëria, vendi ku nuk vdiset kurrë”, është përkthyer në shumë gjuhë, pas 15 vitesh nga koha kur u shkrua edhe në shqip, duke e bërë për herë të parë autoren të njohur si shkrimtare për publikun shqiptar. Librin e ka sjellë në gjuhën shqipe Botimet Dudaj me përkthimin e Parid Teferiçit.
Është një libër prej 155 faqesh, ku personazhi kryesor është një vajzë e vogël, e cila ndërron emër sipas moshës e sipas ngjarjeve. Fillon tregimin Elona, më pas Ornela, Ina dhe e mbyll Eva. Është një libër autobiografik, por që rreket të tregojë autobiografinë e gjithë Shqipërisë. Ornela Vorpsi nuk ka gjë për të fshehur e ndoshta ky është fakti pse libri i saj është pritur sa me interes, po aq sa ka ngjallur edhe debate, për mënyrën deri diku të ashpër, me të cilën ajo rrëfen Shqipërinë.
Më tej vijon me romanin “La mano che non mordi” (“Dora që nuk kafshon”), ku tregon peripecitë fizike dhe emocionale të autores që i afrohet, pa arritur asnjëherë, atdheut. Bëhet fjalë për një vizitë tek një mik në Sarajevë, dhe në të njëjtën kohë vizitë në të kaluarën e saj, ku ndihet atmosfera tipike ballkanike dhe ku takon plot njerëz të ngjashëm me shqiptarët.
“Buvez du cacao Van Houten” është vepra e radhës, një përmbledhje me tregime, 13 gjithsej, me një gjeografi në kohë dhe hapësirë mes atdheut dhe vendeve ku ka jetuar autorja. Tregimi i parë, nga i cili merr edhe emrin libri, tregon historinë e një reklame makabre. Një të dënuari me vdekje, firma e kakaos i kërkon që fjalët e fundit të tij të jenë “Pini kakaon Van Huten”.
“Fuorimondo” është libri vijues i Ornela Voprsit, ndërsa “Viaggio intorno alla madre” dhe “L'été d'Olta” ( Vera e Oltës), janë të tjerë libra që i përkasin autores. Vorpsi, e lindur në Tiranë më 1968, emigroi në Itali kur ishte 22 vjeçe. Jetoi gjashtë vite në Milano para se të shkonte në Paris, ku banon aktualisht.
Më 1991 Ornela iku me të ëmën, në vendin fqinj, Itali, ku nuk e pati të lehtë për shkak se shqiptarët shiheshin shtrembër në ato vite. Natën punonte, për t’i dhënë vetes mundësinë të studionte. Përfundoi Akademinë e Arteve të Bukura të Breras në Milano. Në vitin 1997 vendoset në Paris ku jeton edhe sot. Këtu përfundon studimet në Universitetin Saint Denis. Nga artet vizive ajo kaloi në artin e të shkruarit. Punimet e saj në lëmin e arteve pamore janë paraqitur me sukses në ekspozita të shumta, ashtu si edhe veprat letrare kanë gëzuar popullaritet dhe njohje ndërkombëtare. Ornela Vorpsi është një ndër emrat më të lakuar të letërsisë vitet e fundit. Veprat e saj kanë pasur mjaft sukses dhe janë përkthyer në tetëmbëdhjetë gjuhë të botës si dhe kanë fituar shumë çmime prestigjioze.
Në vitin 2012 ajo u emërua një ndër 35 shkrimtarët më të mirë të Evropës në “Fiction Best European” nga Aleksander Hemon dhe Zadie Smith. Puna e saj e parë është një libër fotografie, një monografi botuar nga “Scalo Publishers”, Zyrih me titull “Asgjë e dukshme”.
Emrin e saj e rigjejmë sërish në antologjinë e Andrea Cortellessa, “Gli narratori degli anni zero”, ku Vorpsi rri perkrah 25 shkrimtarëve më interesantë të Italisë së sotme. "Vendi ku nuk vdiset kurrë" ka fituar pesë çmime në Itali: Grinzane Cavour, Elio Vittorini, L'Albatros Citta di Palestrina, Citta di Tropea, Citta di Vigevano, dhe po ashtu çmimin Mediterranee des lycens në Francë.
Neritana Kraja