


Denis Bala është një i ri shqiptar i cili prej disa vitesh jeton në Gjermani. Ai ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës në degën inxhinieri fizike dhe mendon që t’i zhvillojë njohuritë profesionale në vendi ku jeton aktualisht. Denisi shpreson që në të ardhmen të fokusohet tek fusha e enegjisë së rinovueshme, e cila sipas tij është një investim për të ardhmen e tij profesionale. Ai ka pasion udhëtimet dhe ka udhëtuar në disa shtete të botës, duke eksploruar vendet më të veçanta. Në një intervistë për Radio Ejani Denisi tregon për integrimin e tij në shtetin gjerman dhe pasionin që ka për udhetimet.
CMG: Ju keni disa vite që jeni larguar nga Shqipëria dhe jetoni në Gjermani. Në cilin qytet banoni?
Denis Bala: Momentalisht jetoj në Dyseldorf, ndërsa më përpara kam jetuar në Bon. Janë qytete që nuk ngjajnë, por zona ku jetoj tani më është përshtatur shumë.
CMG: Vendimi që morët për t’u larguar nga Shqipëria ishte i vështirë?
Denis Bala: Nuk e kam besuar që do të largohem nga Shqipëria asnjëherë, por kam menduar gjithmonë të zhvillohesha dhe të investoja tek vendi im, por situatat më bënë të merrja rrugët e mërgimit. Gjithmonë nëse shoqëria ime e kishin vendosur jetën në Europë apo në shtete të tjera në botë, i kritikoja dhe ju thoja që të jetonin në vendin e tyre. Por vërtetë kur ti del në jetë dhe bën një profesion duke investuar tek vetja, e kupton që dalin vështirësi në punë dhe në jetë. Pra janë disa gjëra shumë të nevojshme që ty ta vështirësojnë rrugën që ke nisur.
CMG: Pse vendosët pikërisht të shkonit në Gjermani dhe jo në ndonjë shtet tjetër?
Denis Bala: Gjermania ishte zgjidhje sepse mendova vetëm për profesionin tim, që këtu mund ta zhvilloja. Gjermaninë e shikoj si një shtet në zhvillim, por edhe politikat sociale, politikat e zhvillimit janë shumë herë më të qëndrueshme sesa në vendet e tjera, qoftë edhe pjesa ekonomike, por dhe është më afër Shqipërisë dhe shoqëria ime ishte këtu, duke ma imponuar për të emigruar në Gjermani.
CMG: Për cilën degë keni studiuar në Shqipëri?
Denis Bala : Unë pjesën më të madhe të shoqërisë e kam parë që prindi vendos shumë për zgjedhjen e degës. Pra janë disa degë që në shoqëri njihen si degë që sjellin më shumë të ardhura dhe ecën përpara, por mendoj që çdo person duhet të zgjedhi atë gjë që i përshtatet. Çdo njeri duhet të kuptojë aftësitë e veta ku duhet të investojë sepse shkolla është e vështirë kudo. Nëse ti nuk e bën këtë gjë me pasion, me qëllime të qarta dhe me aftësitë e tua do ta kesh shumë të vështirë. Unë mendoj që ishte dëshira e madhe dhe pëlqimi që kisha për degën e fizikës, ku në shkollë të mesme e kuptova që fizika ishte një nga pasionet e mia. Dega që zgjodha ishte diçka e re në Shqipëri, por kërkova informacione dhe dega e inxhinierisë fizike i përket të ardhmes. Unë mendoj se ja kam dalë me sukses dhe kisha shumë dëshirë ta zhvilloja, por mundësitë në Shqipëri ishin shumë të vëshira për ta vazhduar.
CMG: Mendoni se në Gjermani do të keni mundësi të zhvillohesh në degën për të cilën ju keni studiuar?
Denis Bala: Mendoj se mund ta gjej veten dhe me çfarë kam parë këtu them se është një degë shumë e kërkuar. Nëse unë i them një personi këtu për degën që kam studiuar e shikojnë si diçka të jashtëzakonshme, sepse mendojnë që kjo degë është e vështirë dhe nuk mund ta bëjë kushdo. Pra mund ta përfundojë këtë degë një person që është i aftë. Gjithashtu këtu kërkesa është shumë e lartë për këtë degë dhe them se shumë shpejt duke investuar do ta gjej veten.


CMG: Si ka qenë integrimi juaj pas mbërritjes në Gjermani?
Denis Bala: Fillimi ishte pak i vështirë, por ngaqë nuk kisha asnjë shpresë në Shqipëri dhe mendova që opsioni më i mirë është të zhvendosesha në një vend tjetër dhe këtë energji ta zhvilloja diku tjetër. Normalisht që këtu ka burokraci sepse je në një vend të huaj dhe je duke e filluar jetën nga zero. E mira është që kur ke dokumentat në rregull mund të kërkosh dhe ta zhvillosh jetën këtu, pak nga pak duke marrë informacione se si ecin gjërat këtu bëhet më e lehtë.
CMG: Gjatë kësaj periudhe të qëndrimit në Gjermani a e keni vizituar ndonjëherë Shqipërinë dhe çfarë ju mungon nga vendi juaj?
Denis Bala: Unë në Shqipëri kam ardhur shpesh dhe në fillim vija çdo tre muaj. Natyrisht është vendi im dhe sytë gjithmonë janë nga Shqipëria pavarësisht që ne kemi marrë rrugëtimin e jetës jashtë, por mendja është te Shqipëria. Më merr malli për njerëzit e afërt dhe familjen, por përveç kësaj më merr malli edhe për natyrën tonë që e kemi të jashtëzakonshme.
CMG: Një nga pasionet tuaja janë dhe udhëtimet. Cilat janë vendet që keni vizituar?
Denis Bala: Unë në pjesën më të madhe kam udhëtuar në vendet e Europës, por kam prekur pak pjesën e Arabisë dhe Turqisë, pak a shumë të gjitha kulturat. Kur shkon si turist në çdo shtet viziton vendet më tërheqëse, por është tjetër gjë kur jeton dhe e zhvillon jetën aty. Çdo vend në Europë ka diçka për të parë, qoftë historinë, natyrën apo dhe rregullin. Çdo vend ka veçoritë e veta, edhe në një vend që nuk duket i jashtëzakonshëm mund të gjesh gjëra që ja vlen ta vizitosh.
CMG: Cili ka qenë vendi që ju ka pëlqyer më shumë gjatë udhëtimeve tuaja?
Denis Bala: Vendi më i veçantë që kam udhëtuar ka qenë në Italinë e jugut, qyteti i Materas i cili është një qytet i veçantë nga më të vjetrit në Itali në pjesën e Kalabrisë, ku ne e njohim dhe si vendi i arbëreshëve. Atje është një gjë e veçantë sepse ishte ndërtuar mbi disa shpella, të cilat ishin krijuar nga shqiptarët, ku edhe mbishkrimet e tregonin që ky qytet është ndërtuar dhe formësuar nga shqiptarët. Sigurisht që vend i veçantë ka qenë edhe Stambolli, ku përplasen kulturat lindja dhe perëndimi, një ndërthurje midis të vjetrës dhe të resë, është një peisazh shumë i bukur.
CMG: Ku mendoni t’i kaloni pushimet verore këtë vit, meqë jemi dhe në prag të sezonit të pushimeve?
Denis Bala: Sigurisht që rikthimi në Shqipëri është gjithmonë i pari. Nuk e di sa do të arrij të pushoj në Shqipëri, por do e vizitoj shumë shpejt. Ndërsa pushimet këtë vit do t’i planifikoj në Marok, është një vend shumë i veçantë dhe një ndërthurje e jashtëzakonshme e kulturës arabe dhe asaj afrikane, ku dhe çmimet janë më të lira dhe për mua është një destinacion i ri.
CMG: Cila është dëshira juaj që të arrini në karrierën profesionale?
Denis Bala: Profesioni nuk ka fund dhe duhet të jesh gjithmonë në kërkim. Sigurisht që nga ana e profesionit dëshiroj të zhvilloj anën time profesionale sepse ngaqë është një degë e hapur në disa fusha, si fusha e energjisë së rinovueshme, që është diçka që sot po kërkohet shumë apo dhe pajisjet mjekësore. Pasioni im është që këtë degë ta zhvilloj tek energjia e rinovueshme, ku sot çdo gjë po kthehet drejt kësaj pjese.
Intervistoi: Gazmend Agaj
