Presidenti kinez takon homologun e tij të Eritresë
2023-05-15 20:59:29

Presidenti kinez Xi Jinping u takua të hënën pasdite me homologun e tij eritreas Isaias Afwerki, që po bën një vizitë shtetërore në Kinë.

Presidenti kinez vuri në dukje se Kina dhe Eritrea kanë një miqësi të thellë tradicionale. 24 maji i sivjetshëm shënon 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis të dy vendeve. Gjatë këtyre 30 vjetëve, Kina dhe Eritrea e kanë besuar dhe përkrahur njëra-tjetrën. Kina i shikon dhe i zhvillon marrëdhëniet me Eritrenë nga një perspektivë strategjike e afatgjatë dhe është një mike e besueshme e Eritresë. Pala kineze është e gatshme të thellojë marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore me palën eritrease, duke e çuar në një nivel të ri partneritetin strategjik ndërmjet të dy vendeve.

Foto: VCG

Foto: VCG

Më tej kreu i shtetit kinez vuri në dukje se vendi i tij është e gatshëm të shfrytëzojë në bashku me Eritrenë korniza dhe platforma, si nisma “Një brez, një rrugë”, Forumi për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë, “Koncepti i zhvillimit paqësor të Bririt të Afrikës” etj. për të nxitur bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella dhe për të realizuar zhvillimin e përbashkët. Pala kineze i inkurajon dhe i mbështet sipërmarrjet kineze që të zhvillojnë biznes në Eritre. Kina është e gatshme të forcojë me Eritrenë bashkëpunimin në fushat e infrastrukturës, telekomunikacionit, bujqësisë, minierave, peshkimit etj. Kina do të vijojë të zbatojë projektet e ndihmës për Eritrenë, si ato të ekipeve mjekësore dhe ekspertëve të lartë bujqësorë. Pala kineze e falënderon palën eritrease për mbështetjen e ndihmën që ka dhënë gjatë evakuimit dhe transferimit të shtetasve kinezë nga Sudani, gjë që tregon përsëri miqësinë e thellë përballë vështirësive ndërmjet të dy vendeve. Të dy palët duhet të marrin më shumë masa për të forcuar shkëmbimet njerëzore e për të thelluar miqësinë ndërmjet popujve.

Xi vuri në dukje po ashtu se, në kushtet e reja, Kina dhe Afrika duhet të forcojnë më shumë se kurrë bashkimin e bashkëpunimin, për të kapërcyer vështirësitë së bashku. Kina është e gatshme të ofrojë mundësi të reja për Afrikën me zhvillimin e vet me cilësi të lartë dhe modernizimin e stilit kinez, të promovojë më shumë rezultate të reja në bashkëpunimin praktik Kinë-Afrikë dhe të nxisë ndërtimin e një bashkësie më të ngushtë me fate të përbashkëta Kinë-Afrikë.

Isaias, nga ana e tij, kujtoi historinë e vet të veçantë me Kinën për më shumë se gjysmë shekulli. Ai u shpreh se populli eritreas nuk do ta harrojë kurrë mbështetjen e çmuar shpirtërore dhe materiale të ofruar nga populli kinez për pavarësinë dhe çlirimin e Eritresë. Kina është një vend i madh dhe, që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës, ajo është rritur nga një vend i varfër në një fuqi botërore dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për paqen dhe zhvillimin e njerëzimit, vuri në dukje presidenti i Eritreas. Kina ka propozuar zgjidhjen kineze për sfidat globale, ka mbështetur drejtësinë në arenën ndërkombëtare dhe ka frymëzuar vendet në zhvillim që kërkojnë pavarësinë dhe zhvillimin. Çdo përpjekje për të frenuar zhvillimin e Kinës do të dështojë. Vendet afrikane ende po përballen me hegjemonizmin dhe trajtime të ndryshme të padrejta. Komuniteti ndërkombëtar pret dhe beson se Kina do të japë një kontribut më të madh në zhvillimin e përparimin njerëzor dhe drejtësinë ndërkombëtare. Pala eritrease është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me palën kineze dhe beson se partneriteti strategjik midis të dy vendeve do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Eritresë. (Li Huailiang/Artan)