Qeveria sudaneze cakton tre aeroporte për ndihmë humanitare
2023-05-15 12:00:14

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Qeveria sudaneze njoftoi se kishte caktuar tre aeroporte për të lehtësuar mbërritjen e ndihmave humanitare. Aeroportet në Port Sudan dhe Wadi Seidna, si dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Khartoum, do të shërbejnë si pika hyrëse për ndihmën humanitare pas mirëmbajtjes, njoftoi Këshilli i Ministrave në një deklaratë, cituar nga “CGTN”.

Kabineti u bëri thirrje të gjitha organizatave vullnetare kombëtare dhe të huaja dhe autoriteteve përkatëse që të koordinohen me një komitet të posaçëm të formuar për të siguruar shpërndarjen e ndihmave humanitare për të gjithë qytetarët e prekur.

Aeroporti Ndërkombëtar i Khartoum, aeroporti kryesor i Sudanit, doli nga shërbimi pasi u bombardua gjatë përleshjeve midis Ushtrisë sudaneze dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF).

Më shumë se 164.000 persona kanë kërkuar strehim përtej kufijve që nga shpërthimi i konfliktit ushtarak në Sudan më 15 prill, bëri të ditur Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin vlerëson se rreth 736.000 persona janë zhvendosur brenda Sudanit që nga fillimi i konfliktit. Pothuajse 3.8 milionë njerëz u zhvendosën brenda Sudanit përpara shpërthimit të dhunës.

Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 15.8 milionë sudanezë, ose një e treta e popullsisë së Sudanit, do të kenë nevojë për ndihmë humanitare në vitin 2023 dhe shifra ka të ngjarë të rritet.

Përleshjet vdekjeprurëse kanë lënë të paktën 550 njerëz të vdekur dhe 4926 të tjerë të plagosur, sipas shifrave të publikuara nga Ministria sudaneze e Shëndetësisë në fillim të majit. (Fatosi)