Forumi "Zhongguancun" 2023, në fokus fushat e përparuara si AI dhe teknologjia kuantike
2023-05-15 20:35:30

Foto: VCG

Foto: VCG

Forumi "Zhongguancun" 2023, një nga forumet e nivelit më të lartë të Kinës në fushën e shkencës dhe teknologjisë, do të përqendrohet në fusha më të përparuara, të tilla si inteligjenca artificiale (AI), shkenca kuantike dhe ndërfaqja tru-kompjuter, u shpreh të hënën në një konferencë për shtypin Yu Yingjie, zëvendëskryebashkiaku i Pekinit.

Yu tha se gjatë forumit, i cili është planifikuar të mbahet në Pekin nga 25 deri në 30 maj, do të diskutohen prirjet më të fundit të risive teknologjike dhe do të shfaqen arritjet më të fundit.

Forumi i këtij viti, me temë "Bashkëpunimi i hapur për një të ardhme të përbashkët," do të përfshijë 150 veprimtari, si konferenca, ekspozita, publikime të arritjeve studimore, konkurrime në fushat më të përparuara dhe tregti teknologjike.

Udhëheqës shtetesh, drejtues të organizatave ndërkombëtare të shkencës e teknologjisë, të dërguar diplomatikë, shkencëtarë dhe përfaqësues biznesi do të ftohen në ceremoninë e hapjes në mbrëmjen e 25 majit, bëri të ditur Yu.

Do të zhvillohen 55 sesione paralele, me fokus në fusha të përparuara, të tilla si inteligjenca artificiale (AI), shkenca e jetës dhe energjia e pastër, si edhe tema të tjera të rëndësishme, si menaxhimi i të dhënave, roli i grave në risitë shkencore e teknologjike dhe sportet digjitale.

Bashkëpunimi ndërkombëtar gjithashtu është thelluar, theksoi Yu, duke shtuar se të ftuar nga mbi 80 vende e rajone dhe pothuajse 200 departamente qeveritare, organizata ndërkombëtare dhe institucione të huaja do të marrin pjesë në veprimtarinë e këtij viti.

Rreth 120 ekspertë të lartë nga e gjithë bota, duke përfshirë 17 laureatë të çmimit "Nobel", do të mbajnë fjalime, dhe mbi 40 për qind e tyre janë të huaj, tha zëvendëskryebashkiaku.