Foto nga CMG
Kohët e fundit u mbyll Ekspozita Ndërkombëtare e Logjistikës e Munihut. Ekspozita u krijua në vitin 1978 dhe mbahet çdo dy vjet, duke u bërë ekspozita më e madhe në industrinë globale të logjistikës dhe transportit. Pjesëmarrësit thanë se hekurudha Kinë-Europë ka ndihmuar vendet përgjatë "Një brez, një rrugë" të zhvillohen së bashku.
Për shkak të COVID-19, Ekspozita Ndërkombëtare e Logjistikës e Munihut sivjet mbahet për herë të parë pas katër vjetësh. Digjitalizimi, inteligjenca artificiale dhe asnjanësimi i karbonit janë temat e nxehta të këtij edicioni.
Më tepër se 2300 ekspozues nga mbi 60 vende paraqitën në këtë ekspozitë teknologjitë, produktet dhe zgjidhjet më të fundit në fusha të ndryshme, si transporti detar, tokësor dhe ajror i udhëtarëve dhe mallrave, pajisjet logjistike dhe menaxhimi i zinxhirit të furnizimit. Edhe shumë kompani të mëdha kineze sollën pajisjet e teknologjisë më të fundit.
Ekspertët e industrisë që morën pjesë në ekspozitë, thanë se marrëdhëniet me partnerët kinezë janë shumë të rëndësishme. Veçanërisht ndërtimi i përbashkët i "Një brez, një rrugë" ka krijuar mundësi për zhvillimin me cilësi të lartë të hekurudhës Kinë-Europë, e cila mund të arrijë në më shumë vende dhe qytete, duke sjellë mundësi të shumta për ndërmarrjet evropiane e kineze dhe duke zgjeruar e thelluar më tej marrëdhëniet ekonomike e tregtare midis BE-së dhe Kinës.
Foto nga CMG
Tabea Klang, menaxhere e përgjithshme e shitjeve në degën e transportit të mallrave për Eurazinë të Hekurudhës Gjermane, vuri në dukje se Gjermania dhe Kina janë partnerë të rëndësishëm tregtare dhe, për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm e të begatë të tregtisë dypalëshe, shërbimet e qëndrueshme logjistike dhe zinxhirët e transportit janë të domosdoshëm. “Për këtë arsye, dega e transportit të mallrave për Eurazinë e Hekurudhës Gjermane ka qenë e përfshirë që nga fillimi i funksionimit të hekurudhës Kinë-Europë. Për klientët tanë, hekurudha Kinë-Europë është një kanal logjistik shumë i rëndësishëm që lidh Kinën me Evropën, i cili është jo vetëm i shpejtë dhe mbron mjedisin, por gjithashtu është i besueshëm. Sidomos nga perspektiva mjedisore, transporti hekurudhor mund të ulë lëshimin e dioksidit të karbonit përkatësisht me 95 dhe 80 % në krahasim me transportin hekurudhor dhe detar," tha ajo.
Foto nga CMG
Marcel Stein, kryeekzekutivi i Kompanisë së Funksionimit të Hekurudhës Gjermane, është gjithashtu pjesëmarrës dhe dëshmitar i zhvillimit të shpejtë të hekurudhës Kinë-Europë gjatë dekadës së kaluar. Ai tha se që kur linja e parë (Chongqing-Xinjiang-Evropë) nga Chongqing-u i Kinës në Duisburg të Gjermanisë, u hap zyrtarisht dhe u fut në funksionim më 2011, sfera e trenave të hekurudhës Kinë-Europë ka vazhduar të zgjerohet. Deri në vitin 2022 trenat mund të shkonin në 209 qytete të 25 vendeve, duke kaluar nëpër mbi 80 linja. “Gjatë dekadës së kaluar, hekurudha Kinë-Europë ka arritur rezultate të spikatura, duke sjellë ndryshime në tregun evropian të hekurudhave dhe duke lejuar që më shumë mallra të transportohen përsëri nëpërmjet hekurudhës. Kam mësuar shumë nga Kina, dhe më e rëndësishmja është që ka ende potencial të madh për Kinën dhe Evropën për të arritur ndërlidhjen dhe zhvillimin e integruar në transportin hekurudhor," tha ai.
Stein beson se, përveç përmirësimit të efektshmërisë, edhe prirja e diversifikimit të kategorive të mallrave - nga dërgimi në fillim i produkteve elektronike si kompjuterat nga Kina në Evropë, dhe i makinave dhe pjesëve të këmbimit nga Evropa në Kinë, deri në një numër të madh automjetesh elektrike kineze që parashikohet të dërgohen në të ardhmen të tërë Evropën dhe të shpërndahen drejtpërdrejt në qytete të shumta - vërteton me fakte se zhvillimi me cilësi të lartë dhe i qëndrueshëm i hekurudhës Kinë-Europë është bërë bazë e rëndësishme në nxitjen e zhvillimit të vazhdueshëm dhe të përbashkët të vendeve përgjatë "Një brez, një rrugë".