Policia e shtetit: 7530 efektivë policie janë trajnuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri
2023-05-14 13:07:29

Policia per zgjedhjet (Foto RTSh)

Policia për zgjedhjet (Foto RTSh)

Policia e Shtetit njoftoi se 7530 efektivë policie janë trajnuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve që të shmangen tensionet dhe qytetarët të votojnë të lirë dhe pa u cenuar nga askush.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi, deklaroi se janë angazhuar 5511 efektivë për ruajtjen e objekteve zgjedhore, përcjell “RTSH”.

Sipas tij, trajnimi i mbi 7 mijë efektivëve ka nisur që prej muajit shkurt në bashkëpunim me OSBE-në dhe KQZ-në. Pjesa më e madhe e tyre do të angazhohen për transportimin dhe ruajtjen e materialeve zgjedhore, të cilat kanë nisur të shpërndahen.

“Janë kryer përllogaritjet e numrit të punonjësve të Policisë dhe nevojave të tyre për pajisje, automjete dhe shërbime të tjera logjistike, që do të angazhohen për sigurimin e 5211 qendrave të votimit, 92 KZAZ-ve dhe 92 VNV-ve. 5511 punonjës policie që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të ndërhyjnë në rast se kërkohet nga komisionet zgjedhore apo nga KQZ-ja”,- tha Jaupi.

Ai theksoi se janë në dispozicion 305 automjete civile, që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë procesit zgjedhor.

Jaupi tha gjithashtu se 57 objekte të rëndësishme do të sigurohen nga 192 punonjës policie nga Forcat Komando.

Policia e Shtetit ka vënë në funksion dhe një aplikacion ku do të ndjekë online të gjithë zbatimin e planit të masave në të gjithë vendin.

Prej pasdites së të premtes deri në përfundim të procesit zgjedhor, të gjitha strukturat qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit kalojnë në gatishmërinë “Shërbim i Përforcuar”.  (Irma)