Kina dhe Ekuadori nënshkruajnë marrëveshjen e tregtisë së lirë
2023-05-14 13:28:56

Foto:VCG

Foto:VCG

Kina dhe Ekuadori nënshkruan një marrëveshje të tregtisë së lirë, për të rritur tregtinë dypalëshe dhe lidhjet e biznesit, njoftoi Ministria kineze e Tregtisë, citon “Xinhua”.

Pakti u nënshkrua nga ministri i Tregtisë i Kinës, Wang Wentao, dhe ministri i Ekuadorit për Prodhimin, Tregtinë e Jashtme, Investimet dhe Peshkimin, Julio Prado, përmes një videoje pas një viti negociatash, njoftoi ministria.

Marrëveshja do të ndihmojë palët të arrijnë hapje të ndërsjellë me standarde të larta, të krijojnë një mjedis më të mirë biznesi, të shfrytëzojnë më tej potencialin në bashkëpunimin tregtar dhe investues dhe të promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të larmishëm të tregtisë dypalëshe, u bë e ditur në një deklaratë të ministrisë.

Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, deri në 90 për qind e mallrave të tregtuara midis Kinës dhe Ekuadorit do të përjashtohen nga tarifat, ndërsa 60 për qind e tyre do të gëzojnë tarifa zero menjëherë.

“Kina dhe Ekuadori do të vazhdojnë me procedurat përkatëse të brendshme në mënyrë që marrëveshjka të hyjë në fuqi në një datë të hershme. Të dyja palët do të zhvillojnë gjithashtu negociata të mëtejshme për fushat me interes të përbashkët për të kërkuar përmirësimin e marrëveshjes”,- thuhet në deklaratë.

Kina është partneri i dytë më i madh tregtar i Ekuadorit. Në vitin 2022, të dy vendet dëshmuan rritje dyshifrore të tregtisë për të dytin vit radhazi, me tregtinë dypalëshe që arriti në 13.1 miliardë dollarë amerikanë, 19.7 për qind më shumë në bazë vjetore. (Irma)