Ministrja Ibrahimaj: Bashkëpunim me biznesin për punësimin e personave me aftësi të kufizuar
2023-05-14 13:27:47

Ministrja Ibrahimaj (Foto ATSh)

Ministrja Ibrahimaj (Foto ATSh)

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një vizitë në Zyrën e Punës në Tiranë, ku u takua me disa punëkërkues me aftësi të kufizuara, të cilët janë punësuar apo do të punësohen gjatë këtij muaji me ndërmjetësimin e Zyrave të Punës.

Ministrja Ibrahimaj vlerësoi vullnetin e shprehur nga bizneset për punësimin e personave me aftësi të kufizuara para hyrjes në fuqi të ndryshimeve në ligjin “Për nxitjen e punësimit”, të cilat parashikojnë një sërë detyrimesh lidhur me punësimin e personave me aftësi të kufizuara, duke nisur nga 1 janari 2024, citon “ATSH”.

Ajo theksoi se qeveria është e angazhuar në përmbushjen e detyrimeve sa i përket punësimit të kategorisë së punëkërkuesve PAK, me qëllim vendosjen e barazisë për çështjen sociale dhe punësimin e sa më shumë personave me aftësi të kufizuara.

Një rëndësi të veçantë, sipas Ibrahimaj, ka edhe bashkëpunimi mes institucioneve shtetërore dhe biznesit për përmbushjen e detyrimeve, sa i përket punësimit të PAK.

Aktualisht janë 2232 punëkërkues me aftësi të kufizuar të regjistruar në sistemin e shërbimeve të punësimit për Rajonin e Tiranës. (Irma)