Ministrja Krifca: “AgroPark Tirana” në Farkë i shërben edhe fermerëve të zonës
2023-05-14 13:15:26

 Serre (Foto ATSh)

Serre (Foto ATSh)

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, ndërsa vizitoi një serrë në Baldushk të Tiranës, që merret me prodhimin e sallatës dhe spinaqit, deklaroi se ndërtimi i tregut të ri “AgroPark Tirana” në Farkë është një investim që i vjen në ndihmë fermerëve të kësaj zone për të dalë më shpejt në treg me kosto të reduktuara, citon “ATSH”.

“Tashmë me inagurimin e tregut të ri në Farkë, fermerët e kësaj zone e kanë edhe më të thjeshtë dhe me kosto të reduktuara arritjen deri te konsumatori, por edhe promovimin e prodhimeve cilësore që prodhon toka e kësaj zone”, tha ministrja Krifca.

Me mbështetjen e Skemës Kombëtare, fermerët e serrave përfitojnë naftë pa taksa për punimet e mekanizuara në fermë, por gjithashtu edhe subvencionim edhe për inputet bujqësore, që i ndihmon ata të ulin kostot e prodhimit dhe të rrisë të ardhurat në familjen e tyre.

Ekspertët vlerësojnë se bujqësia, dhe veçanërisht prodhimi në serra, kanë shënuar një hov të madh vitet e fundit. Sipas tyre, bujqësia është kthyer në një sektor fitimprurës, që po tërheq interesin e një spektri të gjerë për t’u marrë me këtë aktivitet. (Irma)