Dita Botërore e Infermierëve/ Ministrja Manastirliu: Rritje page me 150 dollarë brenda prillit 2024
2023-05-14 13:08:44

Ministrja e Shendetesise (Foto RTSh)

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu (Foto RTSh)

Në Ditën Botërore të Infermierëve, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi se brenda prillit 2024 paga për infermierët do të rritet me 150 dollarë.

Në një ceremoni, ku u shpërndanë certifikata mirënjohjeje dhe u vlerësua figura e infermierëve për kontributin e tyre në sistemin shëndetësor publik, ministrja Manastirliu tha se gjithashtu për mjekët e përgjithshëm do të ketë një rritje me 200 dollarë në muaj brenda prillit të vitit të ardhshëm, bën të ditur “RTSH”.

Ministrja tha se nga viti 2018 janë punësuar me meritokraci dhe transparencë mbi 5 mijë infermierë nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë”.

“Mundësuam që nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë” të kemi një punësim meritokratik, transparent, të drejtë për gjithë teknikët e Shkencave Mjekësore dhe prej fillimit të portalit dhe deri më tani ne kemi punësuar 5 mijë teknikë të Shkencave Mjekësore në sistemin publik”,- tha Manastirliu.

Sipas saj, vetëm nga janari deri tani janë punësuar mbi 550 profesionistë të shkencave teknike mjekësore. (Irma)