“Aulona Inter Folk Festival” sjell në Vlorë folkun ndërkombëtar
2023-05-13 14:02:21

Grupet folklorike duke performuar (Foto personale)

Grupet folklorike duke performuar (Foto personale)

Për tri ditë me radhë është mbajtur në qytetin bregdetar të Vlorës edicioni i 15-të i “Aulona Inter Folk Festival”. Ky festival bëri bashkë në qytetin bregdetar, grupe dhe ansamble folklorike nga shumë shtete të Ballkanit dhe Evropës. Rrugët, trotuaret, sheshet dhe skenat në Vlorë u mbushën me meloditë e këngëve dhe ritmet e valleve nga Greqia, Austria, Sllovakia, Turqia, Zvicra, Ukraina, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe vendit mikpritës Shqipërisë.

Gjatë ditëve të qëndrimit në Vlorë, pjesëmarrësit në festival vizituan edhe Parkun Kombëtar të Llogorasë, ndërsa njëra nga ditët iu kushtua njohjes dhe frekuentimit të plazheve të Radhimës, duke e shndërruar këtë festival në një fuqi të vërtetë promovuese për asetet kulturore, historike, turistike e natyrore të Vlorës e rrethinave të saj. Drejtori i Qendrës Kulturore “Aulona” dhe drejtori i përgjithshëm i Festivalit, Sejmen Gjokoli në një intervistë për Radio Ejani tregon për risitë e edicionit të 15-të të Aulona Inter Folk Festival.  

CMG:Sapo ka përfunduar edicioni i 15-të i “Aulona Inter Folk Festival” organizuar në qytetin e Vlorës. Cilat ishin risitë e këtij edicioni?

Sejmen Gjokoli: Së pari të falënderoj për intervistën dhe interesimin tuaj të vazhdueshëm për gjithçka ndodh rrotull trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar. Ky që sapo u mbyll ishte edicioni i 15-të, një aktivitet që tregoi edhe njëherë se ky festival tashmë është ngjizur dhe është bërë pjesë e dashurisë vlonjate dhe komunitetit, por dhe të gjithë atyre që zgjedhin qytetin e Vlorës për të pushuar ose për të kaluar ditët e fundjavave.

Ky edicion edhe për shkak të 15 vjetorit natyrisht u pa nga organizatorët të tregohet një kujdes i shtuar, që ka të bëjë jo vetëm me përzgjedhjen e grupeve dhe numrin më të madh të shteteve pjesëmarrëse, por mbi të gjitha për gjithçka që kërkon një festival. Një festival kërkon të bësh bashkë shumë gjëra ku ka problematika të akomodimit, të lëvizjeve, infrastrukturës, skenave dhe gjithçkaje, që duhet të jenë të harmonizuara dhe dedikuara vetëm për mbarëvajtjen e tij. Në këtë drejtim do të thoja se ky edicion shënoi një shkallë të re të rritjes kryesore të këtij festivali, duke e çuar në 4100 numrin e pjesëmarrësve që kanë patur rastin të vijnë në qytetin e Vlorës në këto 15 vite. Në këtë festival kanë qenë 105 ansamble të shteteve të ndryshme gjatë këtyre 15 viteve dhe gjithashtu nga 32 vende të Ballkanit, Europës dhe Azisë. Madje  në edicionin e vitit 2018 në festival ishte prezent edhe një ansambël i shkëlqyer nga qyteti Quangzhou i Kinës. Ky ishte një lajm i madh jo vetëm për Vlorën dhe festivalin, por dhe për gjithë kulturën tradicionale shqiptare.

CMG: Cilat ishin grupet folklorike pjesëmarrëse të edicionit të sivjetshëm të festivalit?

Sejmen Gjokoli: Këtë herë organizatorët menduan që në radhë të parë të respektojmë fqinjët tanë, vendet e Ballkanit dhe më tej të Europës. Kam parasysh këtu pjesëmarrjen e grupit nga Greqia, Maqedonia e Veriut, Turqia, Kosova, Austria, Sllovakia dhe Ukraina, të performancës së këtyre folkloristëve të cilët kanë mrekulluar Vlorën dhe  prezenca e tyre ishte si një buqetë e festivalit. Gjithashtu dhe Austria është shteti që për herë të parë bëhet pjesë e festivalit “Aulona Inter Folk Festival” dhe që të gjitha bashkë, duke futur këtu edhe prezencën e folkut shqiptar, të atij vlonjat të përfaqësuar nga dy ansamblet në Vlorë, si “Krahu i Shqiponjës”, por dhe i vëllezërve Bajrami, në bashkëpunim edhe me ansamblin e Arian Plakut nga Durrësi, duke përfshirë edhe dy grupet polifonike të Mallakastrës “Gjergj Arianiti” dhe të Fushë Bardhës së Gjirokastrës. Pra këta ishin përfaqësuesit e pjesës shqiptare, të pjesës këtej Drinit, pasi gjithashtu ne kishim këtu edhe ansamblin “Gryka e Kaçanikut”, i cili përfaqësonte pjesën shqiptare.

Festivali nderkombetar i folkut ne Vlore (Foto personale)

Festivali nderkombetar i folkut ne Vlore (Foto personale)

Do të thoja gjithashtu edhe prezencën e shkëlqyer të grupit “Hareja” nga Zvicra, një grup mërgimtarësh por që kanë krijuar falë talentit të tyre, dashurisë dhe misionin për të ruajtur traditën aty ku jetojnë. Ky grup u përfaqësua me shumë profesionalizëm përmes disa këngëve popullore që u pëlqyen shumë nga publiku. Do të përmendja edhe pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të këngëtares të madhe të këngës shqipe, të mjeshtres së madhe Shkurte Fejza e cila e përndriti skenën e “Aulona Inter Folk Festival” me këngën e saj.

CMG: Përveç performancave të grupeve në skenën e festivalit, ansamblet kishin dhe performanca në rrugë dhe mjedise e tjera të qytetit të Vlorës, duke prezantuar vallet dhe kostumet e tyre popullore.

Sejmen Gjokoli: Natyrisht ky festival shquhet sepse i ka shumë të qarta konceptet dhe vizionin e mbajtjes së një festivali. Pra ka standarde të tilla që asnjëra dhe asnjëherë nuk mund të shkëputet nga tjetra dhe pjesa jashtë skenave është një pjesë shumë e rëndësishme për këtë festival. Kam parasysh këtu performancat e ndryshme në trotuare, në sheshe dhe në mjedise të tjera të mbyllura që ka qyteti dhe festivali e prek të gjithë qytetin. Ndryshe nga vitet e tjera në këtë edicion festivali pati rastin të dalë edhe përtej Vlorës, në Bashkinë e Selenicës ku një ditë para se të çelej zyrtarisht festivali ansamblet nga Ukraina u bënë pjesë e një aktiviteti për qytetarët e Selenicës. Ajo që ka ndodhur në Selenicë ishte e paparë dhe janë mrekulluar të gjithë, siç jam mrekulluar edhe unë vetë.  Ua kisha borxh atyre njerëzve të minierës, duke qenë që unë jam një inxhinier miniere në profesion dhe mu dha rasti, falë dhe përkrahjes së deputetit të zonës Vullnet Sinaj si dhe bashkëpunimi me bashkinë e qytetit u realizua një aktivitet që do të mbahet mend gjatë.

Aulona Inter Folk Festival ne Vlore (Foto personale)

Aulona Inter Folk Festival ne Vlore (Foto personale)

Do të përmendja edhe  vemendjen që festivali i kushtoi aseteve natyrore, ku në ditën e dytë iu kushtua dimensionit turistik. Gjithë festivalistët atë ditë kanë qenë në parkun kombëtar të Llogarasë, ku aty u kalua edhe dreka në mënyrën më të këndshme mes asaj mrekullie natyrore të Llogarasë dhe fshatit turistik të Llogarasë, i cili vuri gjithë mjediset në dispozicion për festivalistët e shumtë.

CMG: Ky festival përveç  përcjelljes së vlerave të folkut, ka edhe një mision tjetër për turizmin sepse vjen çdo vit para çeljes së sezonit turistik në Vlorë.

Sejmen Gjokoli: Që në lindje ky festival e ka pasur këtë mision dhe për këtë është krijuar dhe është menduar që të zhvillohet në qytetin e Vlorës, për të bërë një promocion ndryshe. Në këtë drejtim do të thoja edhe bashkëpunimin që ne kemi me subjektet e operatorëve turistikë, në radhë të parë me Dhomën e Tregëtisë të qytetit ku këtë vit ka pasur një bashkëpunim më të mirë dhe një koordinim të veprimtarisë tone. E përhershmja që ndodh në këtë festival janë vizitat që të gjithë festivalistët bëjnë në kompleksin turistik Bojo në Radhimë, ku një ditë i kushtohet pikërisht ujit të detit, rërës dhe kalohet dhe dreka në këtë resort turisik nga më të mëdhenjtë dhe më të mirët që ka Vlora.

Festivali është konkret, është i drejtëpërdrejtë dhe këto vlera e bëjnë një festival të admirueshëm. Festivali mbështetet mediatikisht nga RTSH, ku regjistrohet nata e fundit, por edhe realizohet një telereportazh ku këtë herë ishte në krye të grupit të realizimit i mirënjohuri Llesh Nikolla “Mjeshtër i Madh”. Të gjitha ato që ndodhin gjatë ditëve të festivalit ne i kemi të pasqyruara për t’i përcjellë përmes ekraneve të televizioneve, rrjeteve sociale sepse këto publikohen dhe në kanalin e YouTube dhe janë promocioni më i mirë që mund t’i bëhet një qyteti, turizmit apo aseteve të ndryshme në Vlorë.

CMG: Cilat ishin çmimet e festivalit?

Grupet folklorike ne Aulona Inter Folk Festival (Foto personale)

Grupet folklorike ne Aulona Inter Folk Festival (Foto personale)

Sejmen Gjokoli: Festivali e ka traditë ndarjen e kupës,  sepse nuk është me çmime, por ka vetëm një kupë  që jepet nga komuniteti organizator i festivalit për grupin më të mirë. Kjo kupë nuk është qëllim në vetvete, por është si një mesazh i fortë i asaj që ndodh në Vlorë me kulturën vlonjate, por edhe në vendin tone. Kupa  deri tani ka shkuar në 15 shtete të ndryshme të Europës. Këtë herë kupa shkoi për grupin folklorik të Ukrainës dhe performancën e tyre të jashtëzakonshme. Së fundi ju falënderoj juve për gjithçka bëni për ta përcjellë edhe më tej gjithçka ndodh me  “Aulona Inter Folk Festival”.

Intervistoi: Gazmend Agaj