Kina e gatshme të nxisë bashkëpunimin me Norvegjinë
2023-05-13 13:33:31

 

Foto: Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store takohet me ministrin e Jashtëm kinez Qin Gang në Oslo, Norvegji, 12 maj 2023. /Xinhua

Kina u kushton rëndësi marrëdhënieve me Norvegjinë dhe është e gatshme të forcojë komunikimin, të rrisë besimin e ndërsjellë dhe të nxisë bashkëpunimin me këtë vend, tha të premten në Oslo ministri i Jashtëm kinez, Qin Gang.

Kryediplomati kinez i bëri këto komente gjatë takimit me kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Store. Ai tha se Kina vlerëson që qeveria norvegjeze i përmbahet politikës së “një Kine”, e trajton këtë vend me një qëndrim pragmatik dhe racional dhe promovon zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe me parimin e respektit të ndërsjellë dhe trajtimit të barabartë.

Ekonomia e Kinës po rimëkëmbet me një ritëm të përshpejtuar, gjë që do të sjellë mundësi të papara për të gjitha vendet në botë, përfshirë Norvegjinë, tha Qin. Sipas tij, Kina dhe Norvegjia duhet të forcojnë bashkëpunimin në fushat e ekonomisë dhe tregtisë, oqeanit, mirëqenies sociale dhe transformimit të gjelbër, të zgjerojnë bashkëpunimin në thellësi dhe gjerësi dhe të shtyjnë marrëdhëniet dypalëshe në një nivel të ri.

Nga ana e tij, Store tha se Norvegjia dhe Kina, të ndryshme për nga madhësia dhe kushtet kombëtare, kanë një histori të gjatë shkëmbimesh dhe kanë ruajtur dialogun dhe komunikimin. Norvegjia i kushton rëndësi bashkëpunimit me Kinën dhe është e gatshme të forcojë shkëmbimet me të në të gjitha nivelet, veçanërisht në fushat e transformimit të gjelbër, ndryshimeve klimatike, mjekësisë dhe çështjeve të Arktikut, shtoi Store.

Të dyja palët shkëmbyen mendime edhe për çështjen e Ukrainës.

Siç mësohet, Kina dhe Norvegjia nënshkruan të premten një version të ri të marrëveshjes dypalëshe për shmangien e taksimit të dyfishtë.(Zhang Yan/Edmond)