Në Kinë debuton treni i parë urban në botë që furnizohet me energji nga hidrogjeni
2023-05-13 13:55:14

Foto: Kina vë në funksionim trenin e parë urban me energji nga hidrogjeni në botë. /CGTN

Një kompani kineze e pajisjeve hekurudhore lançoi trenin e parë urban në botë me energji nga hidrogjeni gjatë një aktiviteti të zhvilluar këtë javë në Shangai me rastin e Ditës së Markave Kineze.

Treni i gjelbër dhe me lëshim të ulët të karboni, i ndërtuar nga CRRC, mund të ecë me një shpejtësi deri në 160 kilometra në orë në një distancë prej 600 kilometrash.

Në trenin e ri urban është aplikuar fjala e fundit e teknologjisë digjitale dhe asaj inteligjente. Automjeti adopton nivelin më të lartë të drejtimit autonom (pa pilot), i cili mund të realizojë funksione inteligjente gjatë udhëtimit, si zgjimi automatik, nisja-ndalimi automatik dhe kthimi automatik në garazh.

Për më tepër, sistemi i komunikimit automjet me automjet përdoret për të përmirësuar kontrollin e trenit, duke ngritur në mënyrë të dukshme efikasitetin dhe besueshmërinë e sigurisë së këtij mjeti ultramodern gjatë funksionimit.

 

Një model i trenit urban me energji nga hidrogjeni në një ekspozitë gjatë Ditës së Markave të Kinës në Shangai, 12 maj 2023. /CGTN

Treni është gjithashtu i pajisur me sisteme të shumta zbulimi inteligjent prej mijëra sensorësh, me anën e të cilëve, automjeti mund të vetëkontrollohet dhe të vetëperceptohet në çdo kohë në rrugë. Njëkohësisht, sistemet mund të monitorojnë, diagnostikojnë dhe mbrojnë automatikisht sistemin e ruajtjes së hidrogjenit dhe atë të qelizave të karburantit të hidrogjenit gjatë udhëtimit.

Treni përdor teknologjinë e komunikimit me kapacitet të lartë 5G për të arritur integrimin e shumë rrjeteve të transmetimit të të dhënave nga automjeti në tokë. Përmes analizës së të dhënave të mëdha, statusi i funksionimit të trenit vlerësohet në çdo kohë për të garantuar sigurinë.

Hidrogjeni konsiderohet një burim i pastër energjie, sepse avulli i ujit është i vetmi nënprodukt kur digjet si lëndë djegëse. Ai nuk prodhon ndotës të dëmshëm ose gazra serrë, si dioksidi i karbonit ose i squfurit.(Zhang Yan/Edmond)