Grupi rajonal i qyteteve "Jing-Jin-Ji", me "Jing" që i referohet kryeqytetit të Kinës Pekin dhe dy të tjerëve, përkatësisht metropolit Tianjin dhe provincës fqinje Hebei, janë zgjidhja e vendit për të nxitur zhvillimin e koordinuar rajonal.
Xi Jinping viziton një institucion kërkimor të mikroçipave gjatë inspektimit në provincën Hebei(Foto:Xinhua)
Si një strategji kryesore e nisur prej vitit 2014, ky grup qytetesh synon ta lehtësojë Pekinin nga funksionet jothelbësore të kryeqytetit, duke zgjidhur problemet urbane të tij, si trafiku dhe ndotja. Xiong’an, qytet në provincën Hebei, ku presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi një vizitë javën e kaluar, luan një rol jetik.
Gjatë inspektimit, kreu i shtetit kinez vizitoi gjithashtu Cangzhoun dhe Shijiazhuangun, dy qytete të tjera në provincën Hebei, duke bërë ndalesa në një fushë gruri dhe në një institut kërkimi për mikroçipat. Në këtë institut, Xi kërkoi më shumë përpjekje për sektorët shkencorë. Siç mësohet, pikërisht nga ky institut kanë dalë mbi 60 produkte të përparuara të kësaj fushe, që kur nisën kërkimet mbi gjysmëpërçuesit në vitin 1956.
Në një simpozium të mbajtur në fund të inspektimit për zhvillimin e koordinuar rajonal të rajonit Pekin-Tianjin-Hebei, presidenti Xi Jinping, vlerësoi arritjet ekonomiko-shoqërore vendëse, duke nxitur çuarjen përpara të zhvillimit me cilësi të lartë të drejtuar nga inovacioni dhe shtimit të progreseve të reja në "transformimin e gjelbër". Sipas tij, strategjia e zhvillimit të rajonit përputhet me nevojën e zhvillimit cilësor të Kinës dhe është një rrugë efektive për ndërtimin e modernizimin e vendit.
Xi Jinping në fushë gruri me fermerë(Foto:Xinhua)
Gjatë nëntë viteve të fundit që nga zbatimi i strategjisë "Jing-Jin-Ji", janë arritur rezultate të frytshme në fushat kryesore të përmirësimit industrial, menaxhimit të trafikut dhe mbrojtjes së mjedisit, duke e çuar PBB-në totale të rajonit në 10 trilion juanë (1.44 trilion dollarë) në vitin 2022, ose 1.8 herë më shumë krahasuar me 2013-ën.
Si një nxitje e mëtejshme për zhvillimin e provincës së Hebeit, qeveria qendrore deklaroi krijimin e Zonës së Re Xiong’an në 2017, e cila shtrihet rreth 100 kilometër në jugperëndim të Pekinit dhe duke përfshirë tre distrikte në Hebei. Gjatë turneut të inspektimit në Xiongan, Xi theksoi se zhvillimi i Zonës së Re Xiongan ka hyrë në një fazë kur e njëjta rëndësi duhet t'i kushtohet si ndërtimit të saj në shkallë të gjerë, ashtu edhe realizimit të qëllimit të tij për të çliruar Pekinin nga funksionet jothelbësore për rolin si kryeqytet i vendit.
Aktualisht, ndërmarrjet shtetërore kineze të administruara nga qendra kanë ngritur më tepër se 140 degë dhe filiale në rajon. Mbi 3 mijë ndërmarrje të regjistruara në Xiongan kanë një investitor nga Pekini. Gjithashtu, për të ofruar shërbime publike cilësore, universitetet, spitalet dhe shkollat me qendër në Pekin po hapin apo do të hapin degë të tyre në Xiongan.
"Xiongan është një qytet i ri me potencial të madh." - thotë Zhao Can, një punonjës i një kompanie ndërtimit në Xiong’an. I ardhur nga Pekini, Zhao tashmë ka marrë vendimin të zhvendoset në këtë zonë të re së bashku me bashkëshorten e tij. Ai është ndër qindra mijëra talentet e reja që erdhën këtu për shkak të politikave të favorshme të zhvillimit, shërbimeve të mira publike dhe mjedisit të rehatshëm natyror.
Zona e Re Xiong'an në ndërtim e sipër(Foto:VCG)
Gjatë simpoziumit kreu i shtetit kërkoi gjithashtu ndërtimin e "qendrës së talenteve të nivelit të lartë" për rajonin Pekin-Tianjin-Hebei, duke theksuar rëndësinë e një shtytjeje të mëtejshme dhe të një niveli më të lartë për nxitjen e punësimit në rajon. Ai shprehu shpresën se ky grup qytetesh do të arrijë në një lartësi të re në zhvillimin e koordinuar të rajonit Pekin-Tianjin-Hebei (Jing-Jin-Ji), duke u bërë një pionier dhe shembull në ndjekjen e modernizimit kinez.