Ndërmarrje e përbashkët bashki - FSHZH për ndërtimin e akseve fundore
2023-05-13 13:30:12

Ministrja e Infrastruktures Belinda Balluku (Foto Rtsh)

Ministrja e Infrastruktures Belinda Balluku (Foto Rtsh)

Qeveria shqiptare dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit prezantuan programin “Rrugë të Bardha”, që synon të përmirësojë aksesin në rrugët fundore rurale dhe bashkitë e kanë të pamundur të ndërhyjnë për shkak të fondeve të vogla. Ndërhyrja do të bëhet në ato rrugë ku aksesi është shumë i keq, ose edhe gati i pamundur, shkruan “RTSH”. 

Ky projekt do të pilotohet fillimisht në disa bashki dhe është i ndarë në 4 faza. Si fillim parashikohet të bëhet inventarizimi që do të përcaktojë karakteristikat e rrugës, popullsia e asaj zone më pas do të përcaktohet kostoja e investimit.

Me këtë projekt parashikohet që brenda disa viteve të ndërhyhet në 5 mijë km rrugë rurale, tha drejtori i FSHZH-se, Dritan Agolli, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Projekti parashikon ngritjen e një shoqërie të përbashkët midis FSHZH-së dhe bashkive të cilat do të prezantojnë projektet për këto akse rrugore dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit do t’i mbështesë me mjete, por dhe financiarisht.

Balluku tha se duke u dhënë mundësi bashkive të vogla pa të ardhura të konsiderueshme për të ndërtuar rrjetin fundor rural i japin dhe hov ekonomik këtyre bashkive.

Projekti pritet që të prezantohet edhe te bashkitë të cilat do të ngrenë dhe strukturën e tyre të bashkëpunimit me FSHZH-në. (Irma)