
(Foto Atsh)
Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria është në komunikim të vazhdueshëm me partnerët europianë për amnistinë fiskale, pasi nuk do ta bëjë në mënyrë të njëanshme.
I ftuar në një studio televizive, kryeministri Rama tha se amnistinë fiskale e duan 65% të të anketuarve në Këshillimin Kombëtar dhe 90% e shqiptarëve jashtë vendit, përcjell “ATSH”.
“Arsyeja kryesore janë jo këta këtu, por ata jashtë që kanë kursime nga puna në të zezë dhe të cilat i kanë të paformalizuara. Shqipëria është vendi i fundit në Europë që ka hapur bankë private”, tha Rama.
Ai informoi se autoritetet shqiptare janë në komunikim dhe betejë të vazhdueshme me partnerët, sepse nuk duan të ndërmarrin hapa unilateralë, por duan t’i ezaurojnë të gjitha variantet.
“Drafti është dërguar para disa ditësh në Bruksel. Ne nuk duam të na mbështesin pasi ata nuk e mbështesin këtë gjë për 1 mijë e një arsye, sepse duan që paratë të rrinë atje mos të vijnë në Shqipëri”, shtoi Rama.
Kryeministri bëri të ditur se nuk ka pasur kurrë një shumë tavan prej 2 milionësh për individë, por 2 milionë është për kompanitë të cilat janë jashtë. “Ka kompani ndërtimi jashtë të vogla që shqiptarëve u japin pagesat gjysmat në bankë e gjysmat në dorë. Për individët shifra është shumë më e vogël”, shtoi ai. (Irma)
