Ministri i Jashtëm kinez inkurajon studentët të veprojnë si ura lidhëse Kinë-Francë
2023-05-13 13:08:01

 Foto:Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës

Ministri Qin Gang në aktivitet(Foto:Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez, Qin Gang, inkurajoi studentët e rinj që të veprojnë si ura lidhëse për komunikimin Kinë-Francë, gjatë vizitës së tij në “Cité Internationale Universitaire de Paris” (CIUP), kur përuroi Shtëpinë e Kinës, një ndërtesë për akomodimin e studentëve jashtë shtetit, përcjell “China Daily”.

Qin tha se CIUP u themelua për të promovuar paqen botërore duke inkurajuar shkëmbimet midis të rinjve nga vende të ndryshme dhe është bërë një mishërim i një bote të larmishme.

Pasi Shtëpia e Kinës të hyjë në përdorim, ajo do t'i shtojë më shumë vitalitet qytetit universitar me larmi kulturore.

“Në një kohë kur e ardhmja dhe fati i të gjitha vendeve janë të lidhura ngushtë, vetëm kur kulturat dhe qytetërimet e ndryshme bashkëjetojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse, shoqëria ndërkombëtare mund të arrijë një zhvillim të vërtetë paqësor”,- tha Qin, duke shtuar se Kina ka propozuar Iniciativën e Qytetërimit Global dhe theksoi se një prej synimeve të saj është respektimi i diversitetit të qytetërimeve botërore.

Ministri Qin Gang në aktivitet(Foto:Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Ai u tha studentëve në CIUP se të rinjtë janë forca për shkëmbimet mes njerëzve. “Studentët kinezë duhet të kenë parasysh atdheun dhe botën, të paraqesin një imazh të mirë të Kinës dhe të përcjellin miqësinë Kinë-Francë. Po ashtu studentët francezë duhet të mësojnë gjuhën dhe kulturën kineze dhe të kontribuojnë më shumë në zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Francë”,- tha Qin.

Shtëpia e Kinës u ndërtua për të përmbushur një nevojë gjithnjë në rritje për strehim studentësh në Paris. Në kryqëzimin e dy kulturave, ndërtesa ofron rreth 300 dhoma teke dhe një sallë aktivitetesh kulturore me 500 persona, sipas ekipit të projektimit. Arkitektura kombinon kulturat franceze dhe kineze me një interpretim bashkëkohor. (Irma)