Presidenti Begaj u bën thirrje qytetarëve të dalin në votime dhe partive politike të ndalin retorikën armiqësore
2023-05-12 10:13:35

Foto nga RTSH

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votime, për zgjedhjet vendore më 14 maj, duke e konsideruar detyrim për veten dhe kombin. Nga institucionet, kreu i shtetit kërkoi angazhim maksimal për mbajtjen e zgjedhjeve transparente, të lira dhe të ndershme.

Gjatë një konference shtypi me homologun polak, Andrzej Duda, i cili viziton Tiranën, kreu i shtetit dënoi retorikën politike të përdorur nga subjektet zgjedhore gjatë fushatës elektorale dhe bëri thirrje për vetëpërmbajtje, shkruan “RTSH”.

“Zgjedhjet janë një mundësi ku qytetarët shprehin vullnetin tyre përmes votës. Ato janë tregues i rëndësishëm i maturisë së sistemit tonë demokratik. Zgjedhjet nuk janë të partive, por të qytetarëve. Të gjithë kandidatët, partitë politike nuk duhet t’i shpërfillin qytetarët. Siç ndodhi me shpërfilljen që i bënë presidentit, kur bëri thirrje që retorika e përdorur gjatë zgjedhjeve të ishte e qytetarëve dhe mos të ishte armiqësore dhe denigruese, por e vetëpërmbajtur e të kishte përplasje idesh”, tha Begaj.

Ai shtoi se nëse partitë politike vijojnë me të njëjtën retorike të panevojshme edhe pas zgjedhjeve dhe cenojnë integritetin e procesit, atëherë përgjegjësia, sipas presidentit, do të jetë e partive politike dhe institucioneve. (Irma)