Ministri i Jashtëm: Kina mbështet autonominë strategjike të Europës
2023-05-12 10:22:50

Foto nga MPJ

Kina mbështet rrugën e zhvillimit të zgjedhur nga popujt europianë dhe mbështet Europën në arritjen e autonomisë strategjike, deklaroi këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Qin Gang, gjatë një konference të përbashkët shtypi në Berlin, me homologen gjermane, Annalena Baerbock, përcjell “Xinhua”.

Duke vënë në dukje se këtë vit shënohet dhe 20 vjetori i krijimit të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës Kinë-BE, Qin tha se Kina ka mbajtur gjithmonë një politikë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme ndaj BE-së.

“Si një partner kyç për Europën në adresimin e rreziqeve dhe sfidave, Kina mirëpret Europën për të ndarë vazhdimisht mundësitë e tregut kinez dhe dividentët e zhvillimit, për të promovuar zhvillimin e përbashkët të modernizimit të Kinës dhe integrimit të Europës”,- tha ai.

Qin tha se Kina dhe Gjermania, si fuqitë kryesore ekonomike në botë dhe partnerë strategjikë të gjithanshëm, duhet të mbështesin autonominë strategjike, të rrisin besimin e ndërsjellë politik, të forcojnë solidaritetin dhe bashkëpunimin për t'i shërbyer interesave themelore të dy popujve dhe mirëqenien e gjithë njerëzimit.

Të dy palët ranë dakord të bëjnë çdo përpjekje për t'u përgatitur për raundin e shtatë të ardhshëm të konsultimeve ndërqeveritare Kinë-Gjermani dhe të hartojnë një plan gjithëpërfshirës për bashkëpunim praktik në fusha të ndryshme në të ardhmen. Po ashtu, palët ranë dakord të rrisin koordinimin në fushat shumëpalëshe dhe të forcojnë bashkëpunimin në COP28 dhe biodiversitetin.

Ai bëri thirrje për të ruajtur dhe zhvilluar bashkëpunimin ekzistues, të krijohet një mjedis i favorshëm dhe pritshmëri të qëndrueshme për bashkëpunimin e sipërmarrjeve të të dy vendeve, si dhe të sigurohet një vrull më i fortë rritjeje për ekonominë globale. (Irma)