Presidenti i Filipineve u kërkon vendeve të zhvilluara të përmbushin angazhimet për ndryshimet klimaterike
2023-05-12 10:35:21

Foto nga VCG

Presidenti i Filipineve, Ferdinand Romualdez Marcos, u kërkoi vendeve të zhvilluara të përmbushin angazhimet e tyre të kahershme për ndryshimet klimaterike, duke u zotuar të ndërmarrë hapa të guximshëm nga vendi i tij drejt kalimit në teknologjitë e energjisë së rinovueshme dhe alternative në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme, raporton “Xinhua”.

“Vendet e zhvilluara kanë një detyrim moral të mbështesin përpjekjet e përshtatjes së vendeve më të cenueshme përmes transferimit të teknologjisë, ndërtimit të kapaciteteve dhe financimit të klimës, për të adresuar humbjet dhe dëmtimet dhe për të arritur përparimet e nevojshme për veprimin klimaterik në shkallë globale”,- tha Marcos gjatë Samitit të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), të mbajtur në qytetin turistik të Indonezisë, Labuan Bajo.

Në një deklaratë të publikuar nga Zyra e tij Presidenciale, Marcos bëri thirrje për unitet midis anëtarëve të ASEAN-it.

“Megjithëse vendet në zhvillim si Filipinet përbëjnë vetëm më pak se 1 për qind të emetimeve globale, vendet tona mbajnë peshën kryesore të ndikimeve shkatërruese të ndryshimit të klimës”,- tha Marcos.

Filipinet janë të pasura me metale kritike si alumini, nikeli dhe kromi, të cilat prodhohen me efikasitet energjetik.

“Duke pranuar se synohet një e ardhme më e pastër e energjisë, ASEAN tani duhet të fillojë të rrisë bashkëpunimin rajonal drejt nxitjes së zinxhirit strategjik të vlerës së metaleve dhe mineraleve industriale të rajonit”,- tha ai.

Samiti i 42-të i ASEAN-it filloi të mërkurën në Labuan Bajo në Indonezinë lindore. Në seancën plenare, presidenti i Filipineve ngriti gjithashtu shqetësimet e tij për plakjen e popullsisë së rajonit. Duke cituar të dhënat e Bankës Aziatike të Zhvillimit, Marcos tha se një në katër njerëz në rajonin e Azi-Paqësorit do të jetë mbi 60 vjeç deri në vitin 2050.

“Unë mendoj se është koha që ASEAN duhet të fillojë të diskutojë shqetësimet e një popullsie në plakje, në përputhje me traditën e ASEAN për vlerësimin e të moshuarve tanë”,- tha Marcos, duke shtuar se çështja e plakjes duhet të shihet si një mundësi dhe një sfidë, veçanërisht në aspektin të përfitimeve adekuate sociale nga njëra anë dhe fuqizimit social nga ana tjetër. (Irma)