Inteligjenca artificiale/ BE ndalon përdorimin e pajisjeve për njohjen e fytyrës në vende publike
2023-05-12 10:03:31

Foto nga VCG

Parlamenti Europian i ka dhënë miratimin e parë “AiAct”, dokumenti që vendos për herë të parë rregullat e reja europiane për inteligjencën artificiale. Teksti u miratua nga Komisioni i Drejtësisë dhe ai i Tregut të Brendshëm të Eurodhomave me 84 vota pro, shtatë kundër dhe 12 abstenime. Ndër masat e parashikuara është edhe ndalimi total i përdorimit të teknologjive të inteligjencës artificiale për njohjen e fytyrës në vendet publike në BE, shkruan “RTSH”.

Synimi i këtij vendimi është të garantojë një zhvillim njerëzor dhe etik të inteligjencës artificiale në Europë, duke vendosur rregulla të reja të transparencës dhe menaxhimit të rrezikut.

Në amendamentet e tyre në propozimin e KE-së, eurodeputetët synojnë të sigurojnë që sistemet e inteligjencës artificiale të jenë të sigurta, transparente, të gjurmueshme, jodiskriminuese dhe miqësore me mjedisin.

Përpara negociatave me Këshillin e Europës për formën përfundimtare të ligjit, ky projektmandat negociator duhet të miratohet nga PE-ja gjatë seancës së tij në datat 12-15 qershor. (Irma)