FMN: Rimëkëmbja ekonomike e Kinës, nxitje për ekonominë e Azi-Paqësorit
2023-05-12 11:26:18

Foto nga VCG

Rajoni i Azi-Paqësorit do të kontribuojë për pjesën më të madhe të rritjes së ekonomisë botërore, tregoi të enjten raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) mbi parashikimin e ekonomisë së Azi-Paqësorit, ndërkohë që dinamizmi i Azisë do të nxitet kryesisht nga rimëkëmbja e Kinës dhe rritja e qëndrueshme në Indi.

Në raportin e fundit "Perspektiva ekonomike e Azi-Paqësorit", FMN-ja parashikon se rritja ekonomike në rajonin e Azi-Paqësorit do të shkojë në 4.6 për qind këtë vit, nga 3.8 për qind vitin e kaluar, duke kontribuuar për rreth 67.4 për qind të rritjes globale. Ndërsa Kina dhe India pritet të zënë më shumë se gjysmën e rritjes globale sivjet, përkatësisht Kina rreth 34.9 për qind dhe India 15.4 për qind.

Prodhimi i brendshëm bruto i Kinës u rrit 4.5 për qind në tremujorin e parë, ndërsa shumë vende ende kanë një rritje të ngadalshme.

Në tremujorin e parë, sektori kinez i shërbimeve u rimëkëmb në mënyrë të përshpejtuar, sipas të dhënave zyrtare ekonomike të Zyrës Kombëtare të Statistikave. Vlera e shtuar e shërbimeve në tremujorin e parë u rrit 5.4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 dhe 3.1 për qind më shumë sesa në tremujorin e katërt të vjetshëm.

"Zakonisht ndikimi më i madh nga Kina është prej kërkesës së saj për mallra investimesh, por kësaj here është nga kërkesa për konsum," tha Krishna Srinivasan, drejtor i Departamentit të Azisë dhe Paqësor të FMN-së.

Sipas FMN-së, në një periudhë afatshkurtër, Kinës i duhet një makropolitikë e fortë për të mbajtur momentin e tanishëm të rimëkëmbjes ekonomike, duke zbatuar një politikë fiskale asnjanëse, si edhe duke shmangur shtrëngimin e saj të parakohshëm.

Ndërkohë, FMN-ja sugjeroi po ashtu që ekonomia kineze duhet të riekulibrohet drejt konsumit në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë, duke u larguar nga rritja nëpërmjet shtimit të investimeve.