Edicioni i 5-të i Bienales së Akuarelit, mes artistëve dhe mjeshtra kinezë
2023-05-12 11:40:47


Pjesmarës në Bienale (Foto nga Sot)

 “Tirana International Watercolor Biennale”, shënon këtë vit edicionin e pestë. Nga 4-14 maj  kryeqyteti shqiptar mikpriti veprimtarinë “Tirana International Watercolor Biennale”, edicioni i 5-të, organizuar nga Shoqata Kulturore VIZart. Biennale u mbajt në Galerinë e Artit në Tiranë, por edhe në Muzeun Historik Kombëtar, duke u zhvilluar disa evente paralelisht.

Një prej ekspozitave më interesante ishte ekspozita e mjeshtrit moldav Ihor Mosiichuk që u nda nga jeta një vit më parë, e realizuar në kujtim të këtij mjeshtri të madh të akuarelit. Kjo ekspoziti erdhi falë kuratorit të Bienales, piktorit “Mjeshtër i Madh” Helidon Haliti. Një tjetër ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar i përkiste 15 artistëve ndërkombëtarë të Akuarelit. Ndërsa një hapësirë të veçantë kishte edhe RINArt /Tirana International Contemporary Art Festival, Festivali Ndërkombëtar i Artistëve të Rinj, edicioni i 2-të, i zhvilluar në të gjitha mediumet e artit.

Gjatë këtyre ditëve rreth  100 artistë kanë ekpozuar  veprat e tyre dhe do të vazhdojnë deri më datë 14 maj. Vetëm disa ditë më parë artisti Helidon Haliti u vlerësua nga Presidenti i Republikës së  Shqipërisë Bajram Begaj, me titullin “Mjeshtër i Madh”. Në intervistë për Radio Ejani ai na rrëfen më tepër rreth edicionit të pestë të Bienales së Akuarelit.

Vepër e piktorit kinez në Bienale (Foto nga Facebook)

CMG: Bienale e Akuarelit tashmë është në edicionin e tij të pestë, por si arriti deri këtu?

Helidon Haliti: Bienalia e Akuarelit mbërriti në edicionin e saj të pestë dhe kjo është një lloj risie, sepse gjërat fillojnë me vrull në Shqipëri dhe për shkak të tregut dhe të vetë mentalitetit të vetë shqiptarëve të cilët mërziten shpejt, duhen domosdoshmërisht të gëzohemi për këtë fakt. Por si arritëm deri këtu?  Kur filluam Bienalen e Akuerelit në vitin 2014, tregu ishte pa letër peofesionale, pa asnjë lloj peneli apo bojëra profesionale. Ishte një medium i harruar, madje nuk kishte as nxënës  që të interesoheshin se çfarë ishte akuareli, nuk kishin informacionin e duhur, madje nuk kishte as padagog. Arritëm që të ftonim me mijëra artistë, me qindra mjeshtra  të mëdhenj të akuarelit dhe në fakt të gjithë emrat më të njohur të momentit kanë ardhur në Tiranë, e kanë prekur Shqipërinë, e kanë pikturuar, kanë ekspozuar, e kanë demostruar përpara qindra e mijëra studentëve, të cilët dikur ishin nxënës dhe sot janë edhe kolegët e tyre apo kolegët tanë.

Kjo Bienale vjen me disa risi: e para është se ndahet në disa ambjente ai i “Muzeut Kombëtar” dhe “Galeria e Arteve e Tiranës” rishtaz e hapur nga Bashkia e Tiranës. Në atë galeri të vogël  ky medium zë një vend shumë insteresant dhe të ngrohtë. Ne vendosëm që të kuronim një nga ekspozitat më interesante të një artisti, i cili ka ardhur mbi tre herë në Shqipëri, por që humbi jetën vjet në moshën 59 vjeçare.

Ai e ka pikturuar Shqipërinë me aq freski me aq dashuri, sa ka lënë një gjurmë të jashtëzakoshme për mua. Ishte një nga peisazhistët më të mirë të të gjithë kohërave dhe jam vërtetë shumë i lumtur që në rrugërimin tim kam një kontribut ndaj këtij artisti që ka lënë një gjurmë të thellë ndaj meje. Quhet Ihor Mosiichuk, pedagog në Moldavi, por i lindur në Ukrainë dhe i përket shkollës së ish Bashkimit Sovjetik. Në një dhomë të Galerisë së Tiranës vendosëm që ta shoqëronim Ihor-in me 15 Mjeshtra të Akuarelit, të cilët erdhën prezentë dhe e njihnin personalisht . Ekspozita e standardit botëror u ndoq nga qindra studentë dhe origjiniteti i saj është që duhet që këto 20 vepra që familja i dërgoi, mos të mbeten në vendlindje, por t’i kthehen koleksionistëve shqiptarë, sepse vërtetë është një rast i mrekullueshëm. Çelja e ekspozitës në orën 19.00  ishte plot energji, dhe në sallën e poshtme të “Muzeut Kombëtar” ishin 15 artistë nga Mjeshtrat më në zë të momentit, të cilët ekspozonin nga 5 punime dhe bashkë me hartën gjeografike vinin nga Amerika, Peruja, Gjermania, Tajlanda, Kina, Anglia, Spanja dhe Koreja.

Ishte një ekspozitë cilësore, por e ndërthurur me shumë elegancë me skulpturat e studentëve tanë të arteve, si dhe nga e gjithë bota. Bienalia e Akuarelit shoqërohej me pavionin RinArt, që është një kompeticion në  vitin e tij të dytë që e bëjmë me shumë sukses, e që i dha një energji të jashtëzakonshme.

Shpërdamë rreth 15 çmime, nga të cilat tre çmime të mëdha “Master Award”, pra çmimi i mjeshtrave i emëruar Ismail Lulani, që ka 10 vjet që jepet. Ky çmim iu dha 3 artistëve Nicolas Lopez nga Peruja, Miran Kim nga Koreja dhe Cesc Farre nga Spanja. Ndërkohë që studentët shqiptarë u gjykuan nga një juri ndërkombëtare e përbërë prej Hong Shan nga Kina, Atanur Dogan nga Kanadaja, Cesc Farre nga Spanja, Nicolas Lopes nga Peruja dhe Miran Kim nga Koreja, Ormira Lulani dhe Helidon Haliti nga Shqipëria dhe Lafe nga Tajlanda. Ata e vlerësuan punën e artistëve në mënyrë  digjitale dhe  më pas erdhën prej dy ditësh në Shqipëri dhe pasi panë punimet nga afër vendosën të jepnin 12 çmime, 7 në kategori të ndryshme dhe 5 çmime speciale.

Padyshim që vizitorë të shumtë e vizitojnë ekspozitën e akuarelit dhe të të rinjve, por pjesa më interesante është demostrimi, të cilën ne e zhvilluam në Universitetin e  Arteve në Lektoriumin e saj.

Rreth 120 nxënës dhe studentë të Universitetit të Arve dhe atelieve të ndryshme, ndoqën demonstrimin live të mjeshtrave të akurelit si Cesc Farre, Nicolas Lopez , Miran Kim dhe Atanur Dogan. Ky workshop ishte me hyrjen e lirë dhe këta mjeshtra që japim mësime  me çmime shumë të konsiderueshme në Shqipëri dhanë leksione falas. Aktiviteti vijoi me pikturime rreth Tiranës në Kodrat e Farkës e më pas në juglindje të Shqipërisë.

Pamje nga ekspozita (Foto nga TV klan)

CMG: Në këtë Bienale kanë qenë pjesëmarrës edhe artistë kinezë. Cilët janë artistët kinezë që janë prezantuar aty? 

Helidon Haliti: Në Ekspozitë marrin pjesë rreth 25 artistë, nga të cilët 74 janë studentë të Universitetit të Arteve dhe përfaqësojnë disa shkolla prestigjoze të akuarelit. Shkolla më e rëndësishme që prezantohet këtë herë është shkolla kineze, e cila vjen me 32 artistë nga të cilët tre janë mjeshtra absolutë dhe ata kanë ftuar studentët e tyre për të marrë pjesë.

Nga mjeshtrat do të veçoja Hong Shan i cili e ka vizituar Shqipërinë 5 herë, Lee Chau Cheung i cili e ka vizituar Shqipërinë një herë  dhe unë kam ndarë një ekspozitë personale me të në Kinë, si dhe Michelle Lin e cila vjen me natyra të qeta, por pasohet me shumë kinezë të tjerë të cilët janë studentët e Hong Shan, si edhe studentët e mjeshtrit Lee Chau Cheung. Pra skuadra kineze është skuadra më e madhe në ekspozitë  dhe theksoj se kinezët gjithmonë kanë marrë çmimet  më të mëdha në edicionet e tjera. Kanë spikatur dhe kontributi i Shoqatës VIZart është i jashtëzakonshëm për të promovuar vlerat objektive të artistëve të ndryshëm dhe veçanërisht atyre kinezë.

-Artisti Helidon Haliti është një ndër artistët tanë më të njohur dhe kontributi i tij është nderuar me çmime të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai është vlerësuar për një kontribut të madh në 15 vitet e qëndrimit të tij në Greqi, në organizimin e ekspozitave të ndryshme si dhe prezantimin e artit dhe kulturës shqiptare në shtetin helen. Me kthimin e tij në Shqipëri, artisti Helidon Haliti ka dhënë një kontribut të gjerë në këtë fushë të artit. Ai është një ndër figurat më të rëndësishme të artit bashkëkohor shqiptar, një artist mjaft i njohur për artin e tij edhe përtej kufijve të vendit.

Haliti ka marrë pjesë në shumë bienale dhe ekspozita ndërkombëtare, me ekspozita personale, por edhe i nderuar me çmime të kalibrit të lartë në arenën ndërkombëtare. Një artist i vlerësuar nga kritikë e studiues të artit, veprat e tij janë pjesë e muzeumeve dhe galerive, si dhe koleksionistëve të ndryshëm në Shqipëri dhe jashtë saj. Vetëm disa ditë më parë artisti Helidon Haliti u vlerësua nga Presidenti i Republikës së  Shqipërisë Bajram Begaj, me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Intervistoi: Sava Lena