Mbi 11 mijë tonë mallra përpunim ditor në portin e Durrësit
2023-05-12 10:29:27

Foto nga ATSH

Në portin e Durrësit, në vetëm një ditë, u përpunuan 8 anije tregtare me mbi 11 mijë tonë mallra dhe rreth 1410 njësi konteinerike, njoftoi Autoriteti Portual Durrës, citon “ATSH”.

Sipas njoftimit të Portit, u përpunuan 4 anije tregtare me 3500 tonë mallra si çimento, xhama, konstruksione metalike, 2 anije me 910 kontejnerë ishin në radën portuale, ndërsa në pritje për t’u përpunuar ishin 2 anije me 8035 tonë mallra.

Sipas INSTAT-it, në tremujorin e parë të vitit, volumi i mallrave të tregtuara me det (eksport dhe import) është 1.291,9 mijë tonë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky tregues është rritur me 5.5%.

Nga të dhënat e Institutit të Statistikave bëhet e ditur se volumi i mallrave të eksportuara me det në tremujorin e parë të vitit zë 44.1% ndaj totalit të volumit gjithsej të mallrave të eksportuara.

Anijet tregtare që transportojnë mallra nga/drejt Portit të Durrësit, më i madhi në vend, kanë lundruar deri tani nga/drejt 67 porteve në 24 vende të botës. (Irma)