Ndërtimi i fshatit me zero karbon në provincën e pasur me qymyr
2023-05-12 11:15:16

foto nga CFP

Makina elektrike bujqësore në Ekspozitën e Makinave Bujqësore të Kinës 2023 /foto nga CFP

Në stacionin e karikimit fotovoltaik në fshatin Zhuangshang, ku janë parkuar dhjetëra automjete bujqësore, fermeri Chen Jiuhong karikon triçikletën e tij elektrike.

"Një karikim i plotë, duke mundësuar një udhëtim prej 50 km, kushton më pak se 2 juanë (rreth 29 cent amerikan), vetëm një e pesta e kostos për automjetet konvencionale me naftë për të përshkuar të njëjtën distancë",- tha Chen. "Makineritë tona janë të gjitha me energji elektrike tani, pasi është edhe e lirë, edhe miqësore me mjedisin."

Mes përpjekjeve të vendit për zhvillimin e gjelbër, Zhuangshang  në provincën Shanxi të Kinës veriore të pasur me qymyr, i ka dhënë lamtumirën djegies tradicionale të qymyrit dhe ka arritur neutralitetin e karbonit falë përdorimit të energjisë fotovoltaike. Fshati ka fituar së fundmi titullin e fshatit demonstrues të energjisë me zero karbon në Kinë, i njohur së bashku nga Ministria kineze e Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Fondi Global i Mjedisit (GEF).

Sipas kreut të partisë së fshatit, Du Kanglei, Zhuangshang filloi të promovojë prodhimin e energjisë fotovoltaike në vitin 2019, duke zëvendësuar gradualisht qymyrin dhe naftën me energji të pastër.

foto nga CFP

foto nga CFP

"Motoçikletat janë zëvendësuar me triçikleta elektrike, kositësit me naftë janë ndryshuar në kositëse elektrike dhe qymyri nuk digjet më për gatim apo ngrohje",- shtoi Du.

Sot në fshatin Zhuangshang,  çatitë e shtëpive të fermave janë të pajisura me panele fotovoltaike blu. Fshatari Zhang Baomin tha se panelet e tij fotovoltaike mund të gjenerojnë mjaftueshëm energji elektrike për të furnizuar të gjitha pajisjet e tij shtëpiake.

"Pajisja ime e gatimit të orizit, kondicioneri dhe ngrohësi elektrik janë të gjitha me energji elektrike dhe energjia e tepërt mund të ruhet ose shitet (në rrjet)",- tha ai.

"Motoçikletat me naftë që qarkullonin në rrugë nxirrnin tym të zi, por tani janë zëvendësuar me automjete elektrike",- tha fshatari 81-vjeçar Zhang Pingding. “Fshati është bërë më i pastër pas përdorimit të energjisë fotovoltaike”.

Për të shfrytëzuar sa më mirë energjinë diellore, fshati po i shndërron tokat djerrë në objekte fotovoltaike. Një korridor fotovoltaik 173 metra i gjatë është ndërtuar në një djerrinë të madhe ngjitur me Lumin e Verdhë. Korridori, me 320 panele fotovoltaike, prodhon 220,000 kWh energji elektrike në vit. Një banesë tradicionale e braktisur është rinovuar në një oborr fotovoltaik ku janë instaluar 192 panele fotovoltaike, duke prodhuar 130,000 kWh energji elektrike në vit.

Me një çati të bërë nga panele fotovoltaike për ta mbrojtur atë nga era dhe shiu, oborri ofron një tjetër lehtësi për vendasit për t'u ulur dhe për të shijuar një filxhan çaj.

Du Kanglei tha se fshati planifikon të kthejë më shumë objekte të tilla  në oborre fotovoltaike.

foto nga CFP

Pllakat fotovoltaike në kontenë Ruicheng të provincës Shanxi të Kinës Qendrore/ foto nga CFP

Transformimi i gjelbër i Zhuangshang është pjesë e projektit "Mundësimi i energjisë me karbon zero në qytetet dhe fshatrat rurale në Kinë", i financuar nga Ministria e Financave dhe Fondi Global i Mjedisit, dhe i nisur zyrtarisht nga Ministria e Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale dhe UNDP në vitin 2022. Nga prilli 2022 deri në prill 2023, fshati prodhoi një total prej 2.8 milionë kWh energji elektrike, duke kursyer gjithsej 1,156 ton qymyr standard dhe duke reduktuar 2,882 tonë emetim të dyoksidit të karbonit.

Vitet e fundit, provinca e pasur me qymyr Shanxi ka kryer projekte pilot për minierat e qymyrit të gjelbër dhe do të përshpejtojë ndërtimin e një sistemi furnizimi me energji të gjelbër, duke synuar rritjen e kapacitetit të instaluar të energjisë së re dhe të pastër në 54 për qind, sipas një raporti të qeverisë të publikuar në janar.

Kina është e përkushtuar të krijojë shumë qytete dhe fshatra rurale me emetim zero karbon në të ardhmen, pasi praktika e energjisë së pastër të fshatit Zhuangshang është shembullore, tha Wang Jiuchen  nga agjencia e energjisë dhe mjedisit rural në Ministrinë e Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale.