Shpenzimet për pushime pasqyrojnë vitalitetin ekonomik të Kinës
2023-05-11 15:03:23

Turizmi dhe konsumi i Kinës arritën majat gjatë periudhës festive për Ditën e Majit që sapo përfundoi, duke treguar elasticitetin e jashtëzakonshëm ekonomik të vendit. Nga pika turistike Zibo, një qytet industrial në provincën Shandong të Kinës lindore, tani i famshëm për barbekjutë e tij ikonë, në udhëtimin me deve në një shkretëtirë në qytetin veriperëndimor kinez të Dunhuang, resortet në të gjithë vendin u tejmbushën nga miliona turistë kinezë gjatë festës pesëditore.

Foto:VCG

Turistë në Nankin gjatë festës 1 Majit(Foto:VCG)

Aktivitetet e turizmit dhe konsumi në Kinë u rritën ndjeshëm në ditën e parë të festës pesëditore të Ditës së Punës, pasi njerëzit ndërmorën udhëtime, ku sigurisht shpenzohet, ndërsa vendi optimizmi masat e tij të reagimit ndaj Covid-19, raportoi “Bloomberg”.

Vrull i fuqishëm

Të dhënat interesante në lidhje me festën kanë pasqyruar vitalitetin dhe qëndrueshmërinë e fortë të ekonomisë së dytë më të madhe në botë. Kinezët bënë rreth 274 milionë udhëtime brenda vendit gjatë pushimit pesëditor që filloi më 29 prill, duke u rritur me 70.83 për qind nga e njëjta festë e një viti më parë dhe 19.09 për qind më shumë se pushimet në vitin 2019, para shpërthimit të Covid, bëri të ditur Ministria e Kulturës dhe Turizmit.

Sipas të dhënave nga ministria, të ardhurat nga turizmi arritën në rreth 21.44 miliardë dollarë amerikanë, duke u rritur me 128.9 për qind nga viti i kaluar. Lulëzimi i turizmit ka nxitur rritjen në transport dhe në sektorin e hotelerisë, po ashtu edhe në akomodimin dhe në tregtinë me pakicë.

Nga 27 prilli deri më 4 maj, rreth 133 milionë udhëtime të pasagjerëve hekurudhorë janë kryer në mbarë vendin, 27.94 milionë më shumë se gjatë udhëtimeve për festën e Ditës së Majit në vitin 2019, treguan të dhënat nga “China State Railway Group Co Ltd”. Numri i udhëtimeve ditore të pasagjerëve në hekurudhat e Kinës arriti në 19.66 milionë më 29 prill, një rekord i ri për trafikun njëditor të pasagjerëve.

Foto:VCG

Foto:VCG

Shitjet e ndërmarrjeve kryesore të shitjes me pakicë dhe hotelerisë u rritën me 18.9 për qind nga festa e 1 majit vitin e kaluar, sipas Ministrisë së Tregtisë. “CBS News” raportoi se se industria e turizmit në Kinë nuk e ka humbur shansin për të fituar para, gjë që shërben si nxitje për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Që nga fillimi i këtij viti, konsumi i Kinës ka shfaqur një vrull në rritje. Shitjet me pakicë të mallrave të konsumit në Kinë u rritën 5.8 për qind në baza vjetore në rreth 11.49 trilionë juanë (afro 1.67 trilionë dollarë) në tremujorin e parë, bëhet e ditur nga të dhënat e Zyrës Kombëtare të Statistikave.

Zëdhënësi i Zyrës së Statistikave, Fu Linghui, deklaroi se konsumi po luan një rol gjithnjë e më të spikatur në nxitjen e zhvillimit ekonomik, duke kontribuar në 66.6 për qind të rritjes së Kinës në tremujorin e parë, që është një përmirësim i dukshëm nga viti i kaluar.

“Konsumimi ka udhëhequr rritjen ekonomike të Kinës deri më tani këtë vit”,- raportoi uebsajti amerikan i lajmeve “Axios”, duke shtuar se udhëtimi dhe konsumi rekord gjatë festës së Ditës së Majit mund të ofrojë një nxitje të nevojshme ekonomike.

Rritja e besimit global

Turistë kinezë në Sri Lanka(Foto:VCG)

Turistë kinezë në Sri Lanka(Foto:VCG)

Performanca mahnitëse e ekonomisë kineze gjatë festës së 1 Majit ka rritur besimin në turizmin ndërkombëtar dhe ka ndikuar në rritje të ekonomisë globale. Gjatë festës, pati rritje edhe të tregut të udhëtimeve në dalje. Disa destinacione të njohura jashtë shtetit si Tajlanda dhe Singapori patën një fluks turistësh kinezë.

“Vizitorët kinezë erdhën në Singapor të shumtë në numër, gjë që rriti biznesin e disa shitësve me 20 deri në 30 për qind dhe e bëri të vështirë blerjen e një bilete në disa pika turistike”,- shkroi gazeta në gjuhën kineze e Singaporit, “Lianhe Zaobao”

Të dhënat nga dega e udhëtimeve e “Alibaba”, “Fliggy”, treguan se rezervimet për udhëtime jashtë vendit gjatë festës së Ditës së Majit u rritën me 200 për qind në krahasim me Festivalin e Pranverës të këtij viti. Një tjetër platformë kryesore udhëtimi, “Trip.com”, raportoi gjithashtu se gjatë festës pesëditore, rezervimet e udhëtimeve në dalje u rritën gati 700 për qind nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, me numrin e biletave ajrore dhe rezervimeve të hoteleve që u rritën respektivisht me gati 900 për qind dhe 450 për qind.

Fuqia ekonomike e Kinës ka qenë titull kryesor në shumë media dhe shumë institucione janë optimiste për perspektivat e rritjes së vendit dhe kontributin pozitiv në rimëkëmbjen globale.

“Një rimëkëmbje në Kinë është thelbësore për të mbështetur rritjen ekonomike globale këtë vit, pasi SHBA-ja dhe Europa po humbasin vrullin për shkak të rritjes së normave të interesit, inflacionit kokëfortë dhe ankthit mbi paqëndrueshmërinë në sistemin bankar”,- raportoi “Wall Street Journal”.

Foto:VCG

Foto:VCG

Rritja në Azi dhe Paqësor parashikohet që këtë vit të jetë 4.6 për qind, nga 3.8 për qind në vitin 2022, njoftoi Fondi Monetar Ndërkombëtar.

“Motori më i madh nxitës i rishikimit të rritjes ekonomike të Azisë këtë vit është Kina, ndërsa ekonomitë e tjera në zhvillim në rajon janë në rrugën e duhur për të shijuar rritje solide, megjithëse në disa raste me ritme pak më të ulëta sesa u pa vitin e kaluar”, bëri të ditur FMN-ja në një konferencë për shtyp, mbi perspektivën më të fundit ekonomike rajonale.

Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, David Malpass, njoftoi më herët në prill se huadhënësi ka rritur parashikimin e tij të rritjes globale për vitin 2023 në 2 për qind nga 1.7 për qind që ishte më parë, për shkak të rimëkëmbjes së Kinës.