Turistët kinezë nuk e humbën mundësinë për të shijuar pushimet e tyre të pranverës pas tre vitesh luftë të vështirë kundër epidemisë COVID-19. Në pushimet katërditore me rastin e 1 Majit që sapo lamë pas, sektorët kulturorë dhe turistikë në Kinë treguan një vrull të fortë rimëkëmbjeje, me një rigjallërim të qëndrueshëm në tregun kombëtar të festave.
Turistë në Tempullin e Qiellit gjatë pushimeve të 1 Majit, Pekin(Foto:VCG)
Sipas të dhënave statistikore të Qendrës së Informacionit të Ministrisë kineze të Kulturës dhe Turizmit, numri i përgjithshëm i turistëve vendas arriti në 274 milionë, një rritje prej 70.83% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 119.09% më lart se niveli i vitit 2019, para pandemisë. Ndërkohë, të ardhurat nga turizmi i brendshëm arritën në 148.056 miliardë juanë (22.73 miliardë dollarë), ose 128.90% më shumë se në vitin 2022 dhe 100.66% rritje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Në fakt, entuziazmi i turistëve kinezë për udhëtimet ka arritur një nivel befasues gjatë pushimeve të këtij viti. Më 28 prill, një ditë para fillimit të festës, Stacioni hekurudhor Hongqiao në Shangai njoftoi se të gjitha biletat ishin shitur. Në zonën piktoreske Yueyaquan (një oaz i famshëm në formën e Hënës së Re) në Dunhuang të provincës Gansu të Kinës Veriperëndimore, operatorët e zonës ngritën semaforë për të drejtuar kolonat e gjata të deveve që transportonin turistë për të shmangur bllokimin e trafikut në këtë kryqëzim të rëndësishëm të "Rrugës së Mëndafshit" që nga kohët e lashta. Madje kjo risi ngjalli mjaft komente me humor në internet.
Por meme të tilla nuk ishin të vetmet. Përdoruesit e rrjetit social shkruanin me shaka se ata nuk kishin parë vetëm male dhe dete natyrore gjatë festës së 1 Majit të këtij viti, por edhe "male dhe dete njerëzish", duke përdorur lojën e fjalëve bazuar në një idiomë të famshme kineze. "Mbi çdo centimetër të plazhit dhe çdo shkëmb qëndronte një turist. Unë solla vajzën time për të kapur gaforre, por mendoj se aty në plazh kishte më shumë njerëz se gaforre." - tha një banore nga Pekini që vizitoi Qingdaon, një qytet bregdetar në provincën Shandong të Kinës Lindore. “Por unë ndihem sërish mjaft e lumtur për këto pushime”. - tha ajo.
Turistë në Yueyaquan gjatë pushimeve të 1 Majit(Foto:VCG)
Gjatë këtyre festave, njerëzit gjetën shumë mënyra dhe elementë të rinj për t'u zbavitur. Për shembull, qyteti Zibo në provincën Shandong u bë një ndër destinacionet më të njohura turistike. Për të provuar shishqebapin karakteristik lokal, Zibo u vizitua tetë herë më shumë se në vitin 2019 nga turistët, madje disa udhëtuan me automjete private, duke përshkruar mbi 1.000 kilometra. Gjithashtu, edhe metropolet si Chongqing i Kinës Jugperëndimore dhe Changsha, kryeqendra e provincës Hu’nan të Kinës Qendrore që ofruan shërbime dhe produkte të reja turistike, u bënë virale në internet.
Ndërsa, për të tërhequr më shumë vizitorë, vende e qytete të ndryshme po konkurrojnë me njëri-tjetrin në promovimin e turizmit. Shumë drejtorë të byrove lokale të kulturës dhe turizmit kanë dalë para kamerave për t’u prezantuar të interesuarve veçoritë turistike të krahinave të tyre. Përveç qarkullimit në internet të videove të ndryshme promovuese, konsumi kulturor ka qenë gjithashtu më i spikatur gjatë pushimeve të 1 Majit të këtij viti, si p.sh. ekspozita “Hanfu”, një veshje e lashtë tradicionale nga etnia Han, ekspozita të tjera të shumëllojshme dhe festivale muzikore etj. Provinca Shaanxi organizoi mbi 500 aktivitete kulturore, duke përfshirë opera, kërcime, shfaqje ndriçimi, pazare me produkte të trashëgimisë kulturore, festivale muzikore, apo promovime leximi. Provinca ofroi mbi 50 itinerare ekonomike që lidhën mbi 300 atraksione turistike, duke lëshuar kupona konsumi etj., për vizitorët që hynin brenda territorit të saj.
Turistë në qytetin Luoyang gjatë pushimeve të 1 Majit(Foto:VCG)
Njëkohësisht, shumë atraksione të lashta turistike në mbarë vendin inkurajuan vizitorët të recitonin poezi antike në këmbim të hyrjes falas. Kjo metodë e re ndihmoi në nxitjen e turizmit lokal me ndihmën e kulturës tradicionale. Për shembull, vizitorët mund të hynin falas në vendin piktoresk të pavijonit Tengwangge në provincën Jiangxi të Kinës Lindore, duke recituar poemën e lashtë “Parathënie për Tengwangge”. Aktivitete të ngjashme u mbajtën në provincat Hu’nan, Sichuan dhe He’nan. Megjithëse kjo mund të ketë sjellë humbje në të ardhurat e biletave, ekspertët besojnë se këto aktivitete kanë shtuar popullaritetin e pikave përkatëse turistike, duke ofruar përvoja të reja dhe kombinuar turizmin me trashëgiminë kulturore.
Sa i përket udhëtimeve jashtë vendit, rikthimi ishte edhe më i fuqishëm. Sipas të dhënave të WeChat Pay (aplikacionit të pagesës online) destinacionet më të njohura jashtë territorit kinez gjatë pushimeve të këtij 1 Maji ishin Japonia, Tajlanda, Koreja e Jugut dhe Singapori.