Kinë, semafor për devetë në shkretëtirë
2023-05-11 17:28:49

Është një nga çuditë e shumta që mund të ndodhin veçse në Kinë. Dhe si mjaft gjëra të tjera që shpiken për “herë të parë” në botë, edhe semaforët e shkretëtirës, posaçërisht për devetë, janë “Made in China”. Ato janë instaluar në zonën piktoreske Yueyaquan, në Dunhuang të provincës Gansu të Kinës Veriperëndimore, ku operatorëve të zonës iu desh të përdornin semaforët e shkretëtirës për të drejtuar kolonat e gjata të deveve që transportonin turistët e shumtë dhe shmangur bllokimin e trafikut në këtë kryqëzim të lashtë të "Rrugës së Mëndafshit".

CFP

CFP

CFP

Semaforët e shkretëtirës/CFP

burimi i famshëm i Yueyaquanit, i cili ka formën e Hënës së Re/CFP

Burimi i famshëm i Yueyaquanit, i cili ka formën e Hënës së Re/CFP

Në fakt impianti i semaforëve të shkretëtirës ishte instaluar që në muajt e parë të 2021-it, por pandemia dhe masat e forta antiepidemike, kishin penguar turistët për të vizituar këtë zonë mjaft atraktive, falë malit Mingsha, kompleksit të shpellave Mogao, apo kalimeve Yumen dhe Yangguan, të cilat janë portat më perëndimore të Murit të Madh. Pikërisht këtu ndodhet edhe burimi i famshëm i Yueyaquanit, i cili ka formën e Hënës së Re, i rrethuar nga një oaz i mrekullueshëm në mes të shkretëtirës. Pushimet katërditore të 1 Majit të këtij viti, ishin prova e vërtetë, jo vetëm për rikthimin e fuqishëm të turizmit në Kinë, por edhe për semaforët e shkretëtirës, të cilët kishin pritur pothuajse tre vite për t’u përuruar.           

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm numri i turistëve që lëvizën brenda Kinës gjatë këtyre pushimeve të shkurtra arriti në plot 274 milionë, 70.83% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 119.09% më lart se niveli i vitit 2019, para pandemisë. Meme të shumta nuk munguan të tregonin me humor radhët e gjata të qindra deveve dhe turistëve, duke pritur dritën e gjelbër në semaforët e shkretëtirës. Ata që kishin zgjedhur të udhëtonin në udhët e dikurshme të karvanëve përgjatë Rrugës së Mëndafshit për në Azinë Qendrore dhe Evropë, këtë herë nuk u besonin syve. Marshimi i ngadaltë i deveve, zhurma e zileve të tyre, era që përplaset mbi duna, duke lëshuar tinguj të përkëdhelur harpe, por edhe ngjyrat e semaforëve, e kthejnë shkretëtirën e heshtur në një bulevard rëre të Shekullit XXI.

Turistë në qytetin Rizhao të provincës Shandong(Foto:VCG)

Turistë në qytetin Rizhao të provincës Shandong(Foto:CFP)

Por semaforët e shkretëtirës janë vetëm simboli i pushimeve të pranverës të këtij viti, pas tre vitesh luftë të vështirë kundër epidemisë COVID-19. CNN, CBS, Reuters, Bloomberg dhe një pjesë e madhe e mediave ndërkombëtare, iu dedikuan bumit turistik kinez, rigjallërimit të jashtëzakonshëm të konsumit dhe rimëkëmbjes së shpejtë të ekonomisë. Qendra statistikore e Ministrisë kineze të Kulturës dhe Turizmit parashikon se numri i udhëtimeve turistike do të arrijë në 4.55 miliardë gjatë këtij viti, shifër kjo 80 për qind më e lartë në krahasim me nivelin e 2022-it, duke gjeneruar afro 4 trilionë juanë të ardhura, ose 95 për qind më shumë në bazë të vëllimit të një viti më parë. Vetëm gjatë katër ditëve të pushimit të 1 Majit, të ardhurat nga turizmi i brendshëm arritën në 22.73 miliardë dollarë.

CFP

Foto:CFP

Të dhënat e fuqishme turistike dhe të konsumit forcojnë gjithashtu besimin e tregut për rritjen ekonomike të Kinës. Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) e ka ngritur parashikimin e saj për rritjen e PBB-së së Kinës gjatë vitit 2023 në 5.3 për qind nga një vlerësim i mëparshëm prej 4.6 për qind. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) po rishikon projeksionin e saj për rritjen ekonomike të Kinës në vitin 2023 me 5.2 për qind. Edhe Morgan Stanley, Goldman Sachs dhe banka të tjera investimesh kanë rishikuar gjithashtu parashikimet e tyre në rritje. Këtë vit Kina do të vazhdojë të jetë një nga vendet kryesore që do të shohë rritjen më të madhe në botë, ndërsa kontributi  i saj në rritjen ekonomike globale do të jetë 30 për qind. (CMG)

Turistë në Nankin gjatë pushimeve të 1 Majit(Foto:CFP)