Lambert Jorganxhi & Silvana Braçe & Myfarete Laze Flamur Shehu Ermira Babaliu dhe artistet e rinj (Foto personale)
Flamur Shehu “Mjeshtër i Madh” është një ndër kompozitorët më të njohur të muzikës shqiptare. Krijimtaria e tij është shumë e pasur dhe gjithmonë është përqafuar nga publiku shqiptar. Në më shumë se gjysmë shekulli ai ka realizuar muzikë të mirë, melodi të cilat do të mbeten gjatë në memorien jo vetëm të brezit të tij, por edhe të brezave të ardhshëm, të cilët i këndojnë shpesh këto këngë në perfomancat e tyre live. Kompozitori gjatë këtyre 55 viteve karrierë artistike ka realizuar rreth 500 këngë, melodi të cilat janë shoqëruar me vargje shumë të bukura të poetëve tanë të njohur, por dhe janë kënduar nga zërat dhe emrat më të njohur të këngëtarëve shqiptarë. Ai është fitues i disa çmimeve në festivale si të para ashtu edhe të dyta. Flamur Shehu mban titullin “Mjeshtër i Madh” për gjithë kontributin që ai ka dhënë në muzikën e këngës së lehtë shqiptare, por edhe në studimin e folklorit. Këtë vit ai solli për publikun shqiptar, një koncert recital, me këngët më të mira të krijimtarisë muzikore. Për Radio Ejani Drejtori Artistik i koncertit “Një jetë nga jeta ime” Lambert Jorganxhi, na tregon më tepër rreth këtij projekti muzikor.
Irma Libohova (Foto personale)
CMG: E kujt ishte ideja e koncertit recital të kompozitorit Flamur Shehu “Mjeshtër i madh”?
Lambert Jorganxhi: Për këtë koncert recital të kompozitorit Flamur Shehu ”Mjeshtër i madh”, kam qenë unë një ndër iniciatorët, por edhe moderatorja e mirënjohur Silvana Braçe. Ne e nisën punën për këtë projekt rreth tre muaj më parë, që nga fundi i muajit shkurt. Fillimisht ideuam pjesëmarrësit që do ishin në koncert, u konsultuam edhe me kompozitor Flamur Shehu për të përzgjedhur materialet muzikore, që u kënduan në koncert. Ishin këngët më të bukura, rreth 18 këngë që u kënduan në këtë recital dhe më pas ne përzgjodhëm këngëtarët që do i këndonin. Mund të them se ky ishte një koncert historik, ku morën pjesë këngëtarët Myfarete Laze, Irma LIbohova, Luan Zhegu, Manjola Nallbani, Ermira Babaliu, Bashkim Alibali, Era Rusi, Evi Reçi, Festina Mejzini, Eldis Arrnjeti dhe Jasmina Dervishi. Ishin 11 këngëtarë që kënduan në koncert dhe menjëherë nisëm provat me orkestracionet dhe bashkë me formacionin orkestral nisëm punën. Ishte një bandë muzikore me 16 instrumentistë që së bashku bëmë të mundur realizimin e koncertit live, që u realizua më 1 Maj në Teatrin e Operas dhe Baletit.
Lambert Jorganxhi & Myfarete Laze (Foto personale)
CMG: Si e priti publiku këtë koncert?
Lambert Jorganxhi: Koncerti u prit shumë mirë nga publiku, madje duhet ta kishim menduar që ta realizonim për dy ditë, e jo një ditë, sepse kishte shumë njerëz në sallë, kishte mbi 900 persona që e ndoqën. Koncerti është regjistruar dhe do të transmetohet së shpejti në RTSH. Dolëm shumë të kënaqur nga ky koncert, sepse kemi nevojë për muzikë të mirë dhe për vlerat e muzikës shqiptare që ishin, po brenda këtij koncerti. Materialet u risollën, por ishte edhe një këngë e re e cila ishte risi për koncertin, një këngë të re që kompozitori kishte krijuar dhe që u këndua nga këngëtari Bashkim Alibali. Koncerti u realizua live me bandën time muzikore. Këngëtarët kënduan disa këngë edhe të këngëtarëve që kanë ndërruar jetë si, Sherif Merdani, Anita Bitri dhe këto këngë u kënduan nga këngëtarët e rinj. Një këngë e këngëtares Anita Bitri u këndua nga Era Rusi dhe një tjetër këngë e Sherif Merdanit u këndua nga Eldis Arrnjeti.
Lambert Jorganxhi & Manjola Nallbani (Foto personale)
Publiku na priti shumë mirë, ishte një sukses i padiskutueshëm ajo ditë dhe ja dolëm më së miri që, mund ta them me plotë gojën se “bëmë një koncert historik”. Por patjetër që do marrim një kënaqësi më të madhe, kur ta ndjekim këtë recital në televizion.
-Koncerti “Një jetë nga jeta ime”, i cili u mbajt në “Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit” më 1 maj, u ndoq me shumë interes nga publiku kryeqytetas, duke dhuruar mjaft emocione dhe kënaqësi tek artdashësit e muzikës së kompozitorit Flamur Shehu. Nën drejtimin Artistik të Lambert Jorganxhi, skenarin dhe moderimin e Silvana Braçes, ky koncert mori formën e tij edhe falë instrumentistëve të talentuar, ku në piano ishte Lambert Jorganxhi, në kitarë akustike Ervin Telo, në kitarë elektrike ishte Besmir Shani, keyboard-Igli Rapaj, në violinë ishte Ergi Papadhimitri, trombë-Reinald Foci, kitarë bas-Ergys Turku, në bateri ishte Theo Napoloni. Ky koncert pritet që të trasnmetohet edhe për publikun e gjerë së shpejti në ekranin e Televizionit Shqiptar.
Intervistoi Sava Lena
Koncerti recital i konpozitorit Flamur Shehu (Foto personale)