Aejda Durishti
Aejda Durishti është nxënëse në Liceun artistik “Jordan Misja’ të Tiranës, ku studion në vitin e tretë. Ajo është marrë me pikturë që në vogëli dhe tashmë pasionin e saj e ka kthyer në biznes. Aejdën gjithnjë e ka kuriozuar ideja e të qenit pa gravitet. Ajo ka pasur një pasion të hershëm për qiellin dhe horizontin, që ka ndikuar në ekspozitën e saj të pikturës.
Ekspozita “Pa stacion” me 22 punë në pikturë u hap në sallën e ekspozitave në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Ekspozita personale e Aejda Durishtit me piktura që ekspozohen për herë të parë bëhet pjesë e aktiviteteve artistike në Tiranë. Kurimin e ekspozitës “Pa stacion” e kanë bërë dy profesorët Enkelejd Zonja dhe Lorant Begaj.
Piktorja e re Durishti thotë se ideja për ekspozitën erdhi shumë natyrshëm. “Nuk e kisha menduar që do të hapja një ekspozitë. Kisha bërë një punë, që mu kërkua në një ekspozitë tjetër, para një viti. Duke qenë se pati impakt, fjalë të mira dhe njerëzit gjetën veten tek ajo telajo, mendova që të punoj më tepër dhe të hap një ekspozitë personale”, tregon ajo.
22 punë në teknikën vaj në kanavacë janë ekspozuar si krijimie në dy vite të piktores Durishti. “Pa stacion” vjen me piktura, por Aejda Durishti shprehet se retë i ka parë si simboli i të përkohshmes, si një metaforë e bukur e lirisë dhe e delikatesës. Durishti thotë se momenti kur iu kujtua piktori i njohur romantik John Constable, i cili i konsideronte retë si burim të ndjenjave si një organ sentimenti, si zemër ose mushkëri se sa një fenomen meteorologjik, filloi të fiksojë këtë ndjesi dhe këto vorbulla të trazuara imazhesh dhe emocionesh, që e bënin të qëndronte edhe më shumë me vështrimin lart në hapësirën e pafund.
“Retë i kam parë si simboli i të përkohshmes, si një metaforë e bukur e lirisë dhe e delikatesës. Ndonjëherë këto forma më dukeshin si imazhe objektesh dhe herë- herë kur koha ishte e keqe dukej si hapja e një porte drejt misterit”, shprehet ajo. Aejda Durishti ka zgjedhur ti pikturojë sa më realiste, por si qëllim ka pasur të fiksojë në tablo vrullin dhe nuancat e shumta, që dilnin nga loja e dritës së fortë me të bollëkun e pambuktë. “Ato janë pikturuar në momente të ndryshme të ditës. Kjo ka qenë zgjedhja ime, sepse drita e ndryshme krijon një spektër shumëngjyrësh. Paleta dukej si në flakë, njëherë nga nuancat e të kuqes që më ofronte perëndimi. Gjendje sa romantike, por edhe dramatike”, vijon Durishti.
CMG: Si ka nisur rrugëtimi juaj me pikturën? A keni pasur dilema në fillimet tuaja ?
Aejda Durishti: Unë të them të vërtetën kam pasur shumë diskutime së pari me veten dhe pastaj me botën aty jashtë. Ka qenë forma se si unë e shihja veten dhe se si të tjerët me shihnin mua, një formë tek e cila unë gjeja një lloj dyshimi. Nuk arrija ende të kuptoja se sa e rëndësishme ishte kjo gjë dhe se sa bukur arrija ta nxirrja unë në dritë. Më pas kur e kuptova çdo gjë ndryshoi edhe perceptimi im për veten, por edhe mënyra se si të tjerët po më shihnin.
CMG: Më pas ku i fituat bazat për pikturën?
Aejda Durishti: Unë nisa të marr bazat, duke filluar një kurs për pikturë dhe më pas mendova se piktura është gjithçka që unë dua dhe njëherësh edhe gjithçka që unë kam. Ndoqa zërin tim që ndodhet brenda meje ende dhe bërtet fort për një të ardhme më të bukur dhe më të sukseshme .
CMG: Keni punuar që në moshë të vogël, si është kjo ndjesi ?
Aejda Durishti: Mendoj që ka qenë kjo ndjesi që më ka forcuar më pas që të vijoj përpara. Eshtë tepër e rëndësishme ta duash dhe ta kuptosh veten. Në rrethana të caktuara unë jo vetëm kam punuar për qejf, por kam punuar edhe për t’u paguar dhe jam e bindur që pagesa të cilën unë kam marrë si fillim ka qenë pikënisja e gjithçkaje. Unë jam paguar pak, por e ndjeva fort mirë përgjegjësinë që vinte pasi paguheshe. Kur ti merr shpërblim rritet edhe dëshira për punë edhe pasioni merr një tjetër dimension.
CMG: A njeh puna me artin orar ?
Aejda Durishti: Jo, nuk njeh. Të punosh me fushën e artit është tepër sfiduese pasi të duhet të ndërtosh një klimë edhe në shoqëri, ku ata duhet të të kuptojnë qëllimet dhe dëshirat që ti ke apo synimet në jetë.
Unë nuk njoh orar dhe punoj orë të gjata pa u ndaluar. Shpesh më kap edhe gjumi duke punuar sepse dua që në këtë gjë të investoj, të gjej vullnetin për t’i ndryshuar disa gjëra .
CMG: A keni pasur një rrugëtim të lehtë apo të vështirë? Keni pasur momente sfiduese?
Aejda Durishti: Unë kam pasur momente të vështira mendoj dhe besoj si çdo njeri tjetër dhe një moment shumë i vështirë është kur të tjerët nuk besojnë tek ti. Do të thonë shpesh "Ti nuk do t'ia dalësh". Dua të jem realiste që këto momente kanë ndikuar tek unë. Por gjeta forcën tek ëndrra për të treguar që çdo gjë vazhdon dhe se unë nuk jam e varur nga paragjykimet e të tjerëve.
CMG: Cilët njerëz ju kanë formësuar, kanë ditur se si të punojnë me karakterin tënd ?
Aejda Durishti: Unë vij nga një familje e thjeshtë tek e cila kurrë nuk më mungoi as dashuria dhe as vëmendja e tyre. Ata kanë qenë aty për mua për të më mbështetur në çdo hap timin. Jam e lumtur për raportin që kam ndërtuar dhe për vlerat me të cilat jam rritur.
CMG:Sa kohë ju është dashur të punoni për projektin e ekspozitës?
Aejda Durishti: Më është dashur shumë kohë. Kam luftuar me kohën kështu me duket herë pas herë. Jam futur në sallë e para dhe kam dalë e fundit prej aty. Unë e dua atë vend dhe arti është pjesë e pandashme e imja.
CMG: A mund të na rrefeni disa detaje rreth pikturave?
Aejda Durishti: Ekspozita gjithmonë është një arritje për artistin. Shumica nuk e prisnin këtë ekspozitë sepse unë jam një njeri që të gjitha gjërat i bëj në heshtje. Askush nuk e mësoi deri në ditët që unë e publikova dhe ia dhurova publikut.
Të gjithë miqtë e mi me apo pa tentativë më paragjykonin për oraret e gjata që qëndroja në Liceun Artistik. Unë e solla këtë ekspozitë në këtë moshë sepse ndihem keq kur shoh të rinj që nuk e vlerësojnë artin dhe nuk i japin artit atë qe meriton. Pikturat e mia në këtë ekspozitë flasin me gjuhën e heshtjes dhe ngjyrës.
Kam dashur të jetë qielli kryefjala në këtë ekspozitë. Retë, të cilat për mua janë shumë të bukura , vijnë në këtë ekspozitë si diçka unike nga e cila të gjithë duhet të marrim mesazhin e së bukur dhe jetës .
CMG: Si është pritur kjo ekspozitë nga të rinjtë e tjerë, bashkëmoshatarët apo edhe artistë të cilët zgjedhin që të flasin për artin?
Aejda Durishti: Është pritur goxha mirë dhe ata kanë gjetur motivin për veten tek unë. Ky ishte qëllimi pozitiv i imi që të isha një formë motivi edhe për të tjerët të rinjtë e tjerë. Ne duhet ta duam veten, pasi duke dashur veten duam me tepër të tjerët .
Intervistoi Megi Latifi