Hotelierët në Durrës: Vazhdojmë të kemi turistë të nivelit të mesëm
2023-05-11 14:51:16

Hotel në Durrës (Foto Durrësi.al)

Hotel në Durrës (Foto Durrësi.al)

Qyteti bregdetar i Durrësit duket se gjithmonë është më herët gati për sezonin turistik, kjo për shkak se fundjavat janë thuajse të mbushura edhe jashtë sezonit dhe prenotimet nisin herët edhe nga të huajt. Në një intervistë për mediat  eksperti Fatos Çerenishti thotë se çdo gjë është gati  dhe turizmi ka rritje nga viti në vit. E ndërsa ka zëra për një tërheqje të turistëve skandinavë, Çerenishti thotë se ata vazhdojnë të jenë të pranishëm, por jo me kontrata si më parë.

Plazhi i Durrësit (Foto MTI travel)

Plazhi i Durrësit (Foto MTI travel)

“Hoteleria shqiptare është vetëm disavjeçare  dhe nuk kemi një eksperiencë të madhe në fushën e hotelerisë, megjithatë 7 apo 8 vitet e fundit, hoteleria është në rrugë të mbarë. Biznesi e ka kuptuar që hoteleria premton dhe siguron të ardhura, kështu që këtë nuk mund ta bënim vetëm me tregun shqiptar. Prej vitesh hotelet nuk i frekutentojnë vetëm turistë nga vendet evropiane, por edhe nga vendet nordike, të cilët që nga viti 2017 I kemi pasur prezentë në strukturat tona.  Këtë vit kanë kaluar nga kontratat e garancisë dhe do paguajnë aq sa do vijnë, jo siç e kanë pasur vitet e tjera. Ne jemi përsëri të lumtur që kemi këtë lloj klientele pranë strukturave tona që janë elita e turizmit evropian. Kërkesa nga tur-operatorët evropianë është më e lartë rreth 10-15% se në vitet e tjera. Kjo na bën që edhe këtë vit hotelet tona të jenë të mbushura me kapacitet të plotë, madje oferta është më e vogël sesa kërkesat që kanë tur-operatorët për 2023. “- thotë Çerenishti.

Janë kthyer tashmë në një traditë vizitat nga turistët polakë dhe çekë në rrjetin hotelier të bregdetit të Durrësit. Gjithësesi turizmit shqiptar, sipas përfaqësuesve të hoteleve, i duhen turistë elitarë.

Fatos Çerenishti (Foto Monitor)

Fatos Çerenishti (Foto Monitor)

“Kampionë të bregdetit shqiptar kryesisht të Durrësit janë polakët dhe çekët, pastaj vijnë gjermanë dhe nordikë, por nuk janë edhe vendet e rajonit.  Turistët kosovarë dhe serbë në 3 vitet e fundit kanë ardhur në bregdetin tonë në mënyrë private dhe jo të organizuar. Kemi edhe tregun italian, por kampionë janë polakët dhe çekët që vazhdojnë të kenë kërkesa pa fund, pasi bregdeti shqiptar është i bekuar dhe kemi klimë të mrekullueshme. Ne ende vazhdojmë të kemi turistë të nivelit të mesëm dhe poshtë dhe nuk kemi të nivelit elitar siç pretendojmë. Kjo për faktin se jemi të rinj në këtë strukturë dhe shërbimet tona janë në nivele mesatare. Klientët që presim ne janë të po këtij niveli”- thotë përfaqësuesi i biznesit.

Turistë në plazhe (Foto Koha jonë)

Turistë në plazhe (Foto Koha jonë)

Fluksi i turistëve këtë vit parashikohet të jetë i lartë.  Por shqetësim mbetet stafi dhe për këtë sipërmarrësit i janë drejtuar tregjeve të huaja nga Turqia, Italia dhe vende të tjera. Sipas ekspertëve, kjo rrit më tepër kostot.

“Hotelet e Durrësit dhe Kavajës që nga muaji mars i kanë hapur dyert. Presin që të vijnë turistët e parë, pasi fundjavat kanë qenë të pamjaftueshme. Presim të mbërrijnë turistë në 20 maj dhe deri në fund të shtatori të jenë prezentë në strukturat tona. Po merremi me përgatitjen e stafit dhe në 1 maj janë gati të gjitha strukturat tona për të pritur turistët e parë që do vijnë të organizuar. Pjesa më delikate e këtij biznesi është mungesa e stafit. Nuk mund të flasësh për standard dhe cilësi nëse nuk ofron shërbime të mira, të cilat  kryhen me staf të trajnuar dhe kualifikuar. Ky është një problem tek të gjithë sektorët, por tek turizmi është më i ndjeshëm. Çdo vit problemi i punonjësve është duke u vështirësuar dhe flas për punonjës të kualifikuar, pasi për numra ka sa të duash. Disa nga nevojat  i kemi plotësuar nga shtetas të huaj. Unë po bëj disa vite që marr shtetas turq kryesisht, por sivjet do të marr edhe tek pjesa e barit dhe shërbimeve të tjera, duke kompensuar pjesën e punonjësve që mungojnë në Shqipëri. Është më e vështirë pasi përveç pagave duan edhe akomodim.”- thotë ai.