Ministri i Jashtëm i Kinës kërkon thellimin e shkëmbimeve në të gjitha nivelet me Francën
2023-05-11 21:07:55

Këshilltari i shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Qin Gang bëri thirrje të mërkurën për shkëmbime më të ngushta me Francën në të gjitha nivelet, duke kërkuar një treg më të hapur ndaj njëri-tjetrit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, për të përballuar së bashku sfidat globale.

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Gjatë bisedimeve të tij me ministren e Jashtme franceze Catherine Colonna në Paris, Qin e cilësoi vizitën shtetërore të presidentit francez Emmanuel Macron në Kinë një sukses të madh. Ai tha se Kina është e gatshme të punojë me Francën për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga të dy krerët e shtetit, të përshpejtojë shkëmbimet e bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe të nxisë partneritetin e gjithanshëm strategjik kino-francez.

Kreu i diplomacisë kineze vuri në dukje më tej se Kina e ka konsideruar gjithmonë Evropën si partnere të gjithanshme strategjike dhe e ka mbështetur për të forcuar autonominë strategjike e për të luajtur një rol aktiv në arenën ndërkombëtare, duke shtuar se Pekini nxit një marrëdhënie Kinë-Evropë që nuk ka si objektiv, nuk i nënshtrohet a nuk kontrollohet nga ndonjë palë e tretë.

Kina e Franca, si edhe Kina e Evropa në përgjithësi, duhet të kenë si qëllim bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta nëpërmjet hapjes më të madhe të ndërsjellë dhe të formojnë një partneritet Kinë-BE për zinxhirin e furnizimit me qëndrueshmëri më të madhe dhe besim të ndërsjellë, shtoi ministri kinez.

Qin Gang vuri në dukje gjithashtu vendosmërinë e Kinës për nxitjen e zhvillimit me cilësi të lartë dhe të hapjes me nivel të lartë, duke forcuar bashkëpunimin dhe duke ndarë mundësitë e zhvillimit me bashkësinë ndërkombëtare.

Duke vënë në dukje se marrëdhëniet franko-kineze janë me rëndësi thelbësore, ministrja e Jashtme e Francës Catherine Colonna tha se të dy krerët e shtetit kanë përcaktuar një drejtim të qartë dhe të dy vendet duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të nxitur zhvillimin më të madh të marrëdhënieve dypalëshe.

Ajo sugjeroi që të dy palët të rifillojnë plotësisht mekanizmat e bashkëpunimit në fusha të ndryshme e të forcojnë bashkëpunimin në fusha si ndryshimi i klimës, biodiversiteti e tranzicioni i energjisë, duke shtuar që Franca u jep rëndësi të madhe marrëdhënieve ekonomike me Kinën e beson se këto marrëdhënie janë të ndërvarura, me dobi të ndërsjellë, përplotësuese, të hapura e transparente. 

Franca nuk angazhohet në kundërvënien në kampe dhe beson që të gjitha vendet duhet të jetojnë në harmoni dhe të arrijnë zhvillim të përbashkët, theksoi Colonna, duke vënë në dukje se Kina luan një rol të rëndësishëm në paqen dhe qëndrueshmërinë botërore.

Colonna vuri në dukje po ashtu se Franca është e gatshme të forcojë komunikimin me Kinën mbi çështje të rëndësishme ndërkombëtare e rajonale, të tilla si kriza e Ukrainës, dhe të kërkojë një bazë më të përbashkët.