Prodhuesi kinez i baterive do të ndërtojë fabrikën e tij të parë europiane në Hungari
2023-05-11 10:09:21

Foto nga VCG

Kompania kineze “EVE Energy Co. Ltd.” planifikon të ndërtojë një fabrikë për prodhimin e baterive të automjeteve elektrike në Debrecen, në Hungarinë lindore, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë në vend, Peter Szijjarto.

Prodhuesi i baterive, i nënti më i madhi në botë, do të investojë rreth 400 miliardë forinta hungareze (1.18 miliardë dollarë amerikanë) në një projekt që do të hapë mbi 1000 vende të reja pune, bën të ditur “Xinhua”.

Qeveria e Hungarisë do ta mbështesë projektin me 14 miliardë forinta. “EVE Energy” synon të përmbushë kërkesën për bateritë cilindrike të gjeneratës së re nga fabrika e prodhuesit gjerman të makinave “BMW” në Hungari.

Sipas Szijjarto, qeveria e Hungarisë synon ta bëjë vendin një lider global në mbrojtjen e mjedisit. Ai vuri në dukje se 95 për qind e nevojave për ujë të uzinës do të sigurohen nga ujërat e zeza të trajtuara dhe ujërat sipërfaqësore, si dhe kompania do të riciklojë një pjesë të ujërave të zeza teknologjike në terren.

Ai tha se kalimi në transportin rrugor elektrik është kyç për arritjen e këtij qëllimi dhe përmbushjen e kërkesave të tranzicionit të gjelbër të Bashkimit Europian.

“Pa makina elektrike, Marrëveshja e Gjelbër Europiane nuk mund të jetë një sukses dhe nuk ka makina elektrike pa bateri elektrike”,- tha ai. (Elona)