Hohmann: Në 11 muaj, progres me negociatat Shqipëri-BE
2023-05-10 11:17:49

Foto nga RTSH

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Christiane Hohmann, vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Në një aktivitet të organizuar me rastin e Ditës së Europës në qendrën e vizitorëve të Parkut Kombëtar të Dajtit, Hohmann u shpreh se Shqipëria është Europë, citon “ATSH”.

“Para një viti nuk kishim çelur negociatat, ndërkohë që vjet në korrik mbajtëm Konferencën e parë Ndërqeveritare. Shikoni sa shumë gjëra janë bërë dhe kjo duhet të jetë ditë për të cilën shqiptarët duhet të jenë shumë krenarë. Kemi ecur shumë në këto 10-11 muaj dhe kjo është shumë e rëndësishme”,- tha ajo.

Ambasadorja nënvizoi se është e vërtetë se ka ende shumë punë për t’u bërë që Shqipëria të bëhet shtet anëtar me të drejta të plota në BE, por ajo theksoi se Shqipëria është uvropë.

“Ju jeni Europë. Nuk mund ta theksoj më shumë se kaq këtë gjë”,- tha ajo.

Në Ditën e Europës, Hohmann tha se duhet të festohet me të gjithë dhe duhet të festohet për ato gjëra që janë arritur. (Elona)