Zv.presidenti: Kina synon forcimin e bashkëpunimit me Portugalinë në energjinë e re
2023-05-10 11:27:07

Foto nga VCG

Kina është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Portugalinë në rrjetet e zgjuara të energjisë dhe do të mbështesë qeverinë portugeze në zhvillimin e energjisë së re, theksoi zëvendëspresidenti kinez Han Zheng gjatë vizitës së tij në Portugali.

Han ndodhej të martën në Lisbonë, në një qendër kërkim-zhvillimi të Redes Energeticas Nacionais (REN), administratorja e rrjetit kombëtar të energjisë të Portugalisë, i shoqëruar nga sekretarja e Shtetit për Energjinë dhe Klimën Ana Fontoura Gouveia dhe CEO i REN-it Rodrigo Costa.

Zëvendëspresidenti u njoh me një numër arritjesh të kësaj qendre në zhvillimin e energjisë së re dhe bëri një vizitë në një laborator, përpara se të bisedonte me punonjësit.

Qendra e kërkim-zhvillimit është rezultat i bashkëpunimit midis Korporatës Shtetërore të Rrjetit të Kinës dhe REN-it. Ajo është një aleancë e fortë me epërsi përplotësuese e një shembull i mirë i bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta ndërmjet të dy vendeve, tha Han Zheng.

Një raport i Organizatës për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik i publikuar në mars vlerëson arritjet në fushën mjedisore të Portugalisë dhe jep 26 rekomandime për ta ndihmuar atë në "forcimin e koherencës politike për të nxitur rimëkëmbjen e gjelbër ekonomike", duke përfshirë përmirësimin e riciklimit të mbeturinave.

Sekretarja e Shtetit për Energjinë dhe Klimën Ana Fontoura Gouveia theksoi se Kina e Portugalia kanë mbajtur lidhje të qëndrueshme, duke arritur rezultate të frytshme në fusha të ndryshme, veçanërisht në ekonomi. Qendra e kërkim-zhvillimit është e rëndësishme për përpjekjet e Portugalisë lidhur me tranzicionin e energjisë. Pala portugeze është e gatshme të thellojë bashkëpunimin pragmatik me palën kineze, veçanërisht në energjetikë dhe risi.

Ndërsa CEO i REN-it Rodrigo Costa tha se nga arritjet e qendrës kanë përfituar jo vetëm Kina e Portugalia, por edhe bota. Ajo tashmë është bërë një platformë e rëndësishme për studimet ndërkombëtare dhe komunikimin lidhur me energjinë dhe do të vijojë të jetë një shembull i mirë i bashkëpunimit pragmatik Kinë-Portugali, shtoi ai.

Qendra e kërkim-zhvillimit e REN-it u krijua zyrtarisht nga Korporata Shtetërore e Rrjetit e Kinës dhe REN në vitin 2013. Ajo përqendrohet kryesisht në zhvillimin e simulimit dhe analizave të sistemit energjetik, menaxhimin e energjisë së përtëritshme dhe studimin e tregut të energjisë.