Shqipëri-Zvicër, memorandum bashkëpunimi në fushën e turizmit
2023-05-10 15:54:25

Foto nga VCG

Shqipëria dhe Zvicra nënshkruan në Zyrih një memorandum bashkëpunimi në fushën e turizmit.

Marrëveshja për palën shqiptare u nënshkrua nga drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Shqipërisë, Zana Çela-Rama, ndërsa për palën zvicerane nga Federico Sommaruga, drejtor i Tregjeve në Zhvillim dhe Projekteve Speciale në Turizmin Zviceran (ST).

Sipas kësaj marrëveshjeje, Shqipëria dhe Zvicra do të forcojnë dhe zhvillojnë bashkëpunimin në fushën e turizmit, duke përfshirë: asistencën në vendosjen e kontakteve me organizatat përkatëse, qasjet ndaj turizmit të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit në zonat malore dhe parqet kombëtare; asistencën për zhvillimin dhe promovimin e produkteve për turistët shqiptarë dhe zviceranë në bashkëpunim me federatat lokale të agjencive të turizmit, përgjegjëse për mbështetjen e turizmit të jashtëm, bën të ditur “ATSH”.

Dy vendet do të shkëmbejnë informacion mbi aktet ligjore që rregullojnë turizmin, statistikat mbi turizmin dhe përvojën e përmirësimit të cilësisë së shërbimeve turistike.

Një pikë tjetër e rëndësishme e kësaj marrëveshjeje është dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve arsimore të angazhuara në trajnimin e personelit profesional në fushën e turizmit.

Gjithashtu, Shqipëria dhe Zvicra do të ndihmojnë njëra-tjetrën në organizimin e ekspozitave dhe forumeve të turizmit, si dhe të vizitave informative për përfaqësuesit e turizmit dhe medieve të të dy vendeve, me qëllim njohjen me infrastrukturën dhe produktet turistike. (Elona)