Kryediplomati: Kina nuk furnizon me armë vendet ose rajonet në krizë
2023-05-10 11:33:38

Foto nga VCG

Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang ritheksoi qëndrimin e Kinës gjatë diskutimeve të sinqerta e pozitive me homologen e tij gjermane Annalena Baerbock të martën lidhur me sanksionet tregtare ndaj Rusisë.

Të dy ministrat biseduan për rreth 45 minuta në kryeqytetin gjerman Berlin, duke u përqendruar në krizën klimatike, e veçanërisht në gjendjen në Ukrainë. Një ndër çështjet kryesore të diskutuara ndërmjet të dy palëve kishte të bënte me tetë kompani kineze që mund të përballen me sanksione nga Bashkimi Evropian.

BE-ja beson se ato po e furnizojnë Rusinë me mallra që mund të përdoren për të krijuar armë kundër Ukrainës. Sipas Baerbock-ut, BE-ja po përpiqet të gjejë mënyra për të parandaluar shmangien e sanksioneve ndaj Rusisë ndërsa po negocion një paketë të re masash.

Duke folur për mediat së bashku me Baerbock-un në Berlin, Qin Gang-u ritheksoi qëndrimin e vendit të tij të "mosfurnizimit me armë të vendeve në krizë apo rajoneve në krizë."

"Ky është një ligj në Kinë, dhe kur ne eksportojmë prodhime me përdorim të dyfishtë, kemi gjithashtu ligje e rregullore për këto raste. Ndërmjet kompanive kineze e ruse ka shkëmbim e bashkëpunim normal që nuk duhet të pengohet," shtoi kreu i diplomacisë kineze.

Megjithatë, Baerbock-u, duke folur edhe në emër të BE-së, u shpreh se sanksionet e vëna tashmë ndaj Rusisë nuk mund të shmangen.

"Sanksionet janë kritike," tha ajo, duke theksuar se ato synonin "të siguronin që mallrat e sanksionuara dhe mallrat me përdorim të dyfishtë të sanksionuara të mos bien në duar të gabuara."

Ndërkohë, kancelari gjerman Olaf Scholz beson që Bashkimi Evropian duhet të ulë rreziqet në marrëdhëniet e tij me Kinën.

"BE-ja është e ndërgjegjshme për këtë zhvillim dhe po bën reagimin përkatës. Unë jam dakord me Ursula von der Leyen-in (presidenten e Komisionit Evropian). Ne nuk duhet të synojmë shkëputjen, por një shmangie të zgjuar rreziku", tha Scholz-i.