Dita e Europës/ Scholz: BE të mbajë premtimet për integrimin e Ballkanit Perëndimor
2023-05-10 11:40:52

Foto nga VCG

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i ka bërë thirrje Bashkimit Europian që t'i mbajë premtimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në BE. Në një fjalim për Ditën e Europës, kancelari gjerman tha se sa më e bashkuar të jetë  Europa, aq më lehtë do të përballet me sfida, citon “RTSH”.

“Ne duhet të jemi edhe më të hapur ndaj tjerëve. Na duhet një BE e zgjeruar dhe e reformuar, një BE gjeostrategjike. Rrallëherë kemi qenë më të bashkuar sesa tani në përballje me konfliktin Rusi-Ukrainë”,- tha Scholz.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Serbia kanë bërë më së shumti përparim në negociatat e anëtarësimit në BE, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë hapur vitin e kaluar këto negociata. Dita e Europës është data kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Europian. (Elona)