Sudan - Bisedimet për armëpushim nuk kanë përparim
2023-05-10 13:18:30

Foto nga VCG

Përleshjet e armatosura vazhdojnë në kryeqytetin sudanez, Khartoum, ndërsa negociatat midis Forcave të Armatosura Sudaneze (SAF) dhe Forcave Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) nuk kanë dhënë deri tani asnjë përparim të madh.

Situata në Sudan është e qëndrueshme në të gjitha shtetet, përveç kryeqytetit Khartoum, tha komandanti i SAF, Abdel Fattah Al-Burhan për “Al Qahera News” të Egjiptit në një intervistë telefonike të hënën.

“Ne mund të diskutojmë një zgjidhje pasi të arrijmë një armëpushim të përhershëm në Khartoum”,- citohet të ketë thënë Burhan, duke paralajmëruar se lufta mund të përhapet në pjesën tjetër të Sudanit nëse ndodh një ndarje në Khartoum.

SAF akuzoi luftëtarët e RSF-së për grabitjen e bankave dhe dyqaneve, si dhe për sulmin në shtëpitë e qytetarëve dhe plaçkitjen e pronave të tyre, citon “Xinhua”.

SAF paralajmëroi qytetarët që të qëndrojnë larg zonave të përplasjes dhe të shmangin afrimin me objekte metalike të panjohura deri në mbërritjen e ekipeve teknike për t'u marrë me to.

Ndërkohë, një diplomat anonim i Arabisë Saudite u tha mediave se ndërsa dialogu mes palëve ndërluftuese në Jeddah hyri në ditën e tretë, nuk është bërë asnjë përparim domethënës, duke theksuar se tema e një armëpushimi të përhershëm nuk është në tryezë.

Që nga fillimi i konfliktit, në zonat e shkatërruara nga lufta në Khartoum është ndërprerë energjia elektrike, furnizimi me ujë dhe komunikimi.

Sipas statistikave të OKB-së, mijëra qytetarë sudanezë janë zhvendosur ose janë detyruar të kërkojnë strehim në zona të sigurta në Sudan ose në vendet fqinje. (Elona)