BSH për ecurinë ekonomike të vitit 2023 dhe pritshmëritë e këtij viti
2023-05-10 11:34:03

Banka e Shqipërisë(Foto Monitor)

Banka e Shqipërisë(Foto Monitor)

Ekspertë të Bankës së  Shqipërisë kanë sjellë një analizë të ecurisë ekonomike për vitin që lamë pas dhe pritshmeritë e këtij viti.

Klodion Shehu, Drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar thotë se ecuria ekonomike  në vijim paraqitet me disa sfida.

“Zhvillimet financiare të vitit 2022 janë karakterizuar nga dy zhvillime, nga dy elementë kryesorë. Së pari rritja e presioneve inflacioniste në tregjet ndërkombëtare, dhe së dyti rritja e normave të interesit, nga ana e bankave qendrore. Kjo ecuri ka reflektuar rritjen e çmimeve të energjisë, në vijim të konfliktit Rusi- Ukrainë, si dhe politikat ekonomike nxitëse, në vijim të daljes nga pandemia të ekonomisë botërore. Sidoqoftë, ecuria në vijim paraqitet me disa sfida. Në përgjithësi ekspertët presin ngadalësim të rritjes ekonomike botërore, si rezultat i rënies së fuqisë blerëse, dhe rritjes së normave të interesit.”- thotë Shehu.

Vitin që kaloi, ekonomia u mbështet kryesisht nga shërbimet, konsumi, dhe prodhimi.

“Nëse i kthehemi situatës ekonomike në vend, mund të vlerësohet që rritja ekonomike gjatë vitit 2022, ka qenë disi më e ulët sesa ajo në vitin 2021. Megjithatë ritmet e rritjes kanë qenë pozitive. Vlerësohet që gjatë vitit të kaluar, ekonomia shqiptare u rrit mesatarisht rreth 4.8% rritje ekonomike  e cila është mbështetur nga shërbimet, konsumi, por edhe nga prodhimi. Presionet inflacioniste kanë qenë në përgjithësi të larta dhe kjo ka detyruar bankën e Shqipërisë që të ndërmarri një normalizim të politikës monetare duke filluar nga marsi i vitit të kaluar. Dhe duke i rritur normat e interesit nga 0.5% në aktualisht në 3%. Ana e tregjeve, kanë funksionuar normalisht, megjithatë veçoria kryesore në tregje ka qenë rritja e normave të interesit, janë rritur për titujt e borxhit të qeverisë dhe në përgjithësi edhe për transaksionet në tregun ndër bankar. Megjithatë volumet e tregtimit në këto tregje kanë qenë përgjithësisht, të pandryshueshme. Kanë ecur si në vitin e kaluar.”-  tha Drejtori i Departamentit të Stabilitetit Financiar në BSH.

Klodion Shehu (Foto BSH)

Klodion Shehu (Foto BSH)

Sipas Shehut,sektori bankar gjithashtu ka zgjeruar veprimtarinë, i mbështetur kryesisht në investimet ndërkombëtare dhe në tituj si dhe nga rritja e depozitave.

“Sistemi financiar ka vijuar të zgjerojë, veprimtarinë edhe gjatë vitit të kaluar edhe në 6 mujorin e dytë të vitit 2022, megjithatë pesha e tij ndaj prodhimit të brendshëm bruto ka ardhur në rënie, kjo kryesisht për shkak të rritjes më të shpejtë, të prodhimit të brendshëm bruto, në krahasim me zgjerimin e veprimtarisë së sistemit financiar. Sektori bankar gjithashtu ka zgjeruar veprimtarinë, i mbështetur kryesisht në investimet ndërkombëtare dhe në tituj dhe na rritja e depozitave. Në tërësi cilësia e kredisë ka mbetur e mirë, kemi patur një rënie të lehtë, të kredive me probleme, megjithatë për shkak të normave të interesit dhe peshës së konsiderueshme të kredisë, me norma interesi të ndryshueshme, ne presim që  të ketë rënie të lehtë të cilësisë së kredisë, për periudhën në vijim”, theksoi ai

Drejtori në Bankën Qëndrore gjithashtu thekson se situata e likuiditetit bankar mbetet gjithashtu e forte dhe për këtë realizon edhe prova të ndryshme.

“Treguesit e performancës së sistemit financiar kanë qenë të mirë gjatë vitit të kaluar duke u fokusuar tek sektori bankar. Ky sektor ka dalë me fitim që ka qenë i ngjashëm me atë të vitit 2021, dhe ka ardhur nga kontributi kryesor i të ardhurave neto nga interesi të cilat janë rritur, që kanë rezultuar gjithashtu pozitive, megjithatë ka patur një rënie, krahasim me 2021 kryesisht për shkak të efektit që ka pasur rritja e normave të interesit në blerjen e titujve, të sektorit bankar. Norma e mjaftueshmërisë së kapitalit ka qenë e qëndrueshme, pothuajse e pandryshueshme gjatë vitit të kaluar rreth 18%, dhe ne vlerësojmë që kjo është një ecuri, është një tregues në nivele të mira. Situata e likuiditetit bankar mbetet gjithashtu e fortë. Siç e dini ne realizojmë rregullisht ushtrimet e provës së rezistencës, për të verifikuar aftësinë e sektorit bankar për të përballur me goditje eventuale, nga ushtrimet më të fundit rezulton që gjendja e sektorit bankar është e mirë, megjithatë ndjeshmëria e tij ndaj goditjeve të supozuara është rritur, për këtë arsye është e nevojshme që bankat të kenë kujdes për të vlerësuar forcën e sistemeve tyre të kontrollit, dhe njëkohësisht për të përmirësuar më tej kapitalizmin e veprimtarisë. Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë në komunikim me autoritet e tjera publike, me institucionet e tjera ndërkombëtare dhe me vetë industrinë bankare, do të jetë e vëmendshme, ndaj zhvillimeve në tregu financiar dhe e gatshme të marrë çdo veprim për të siguruar stabilitetin financiar”, tha ai

Ecuria ekonomike e Shqipërisë sipas BB (Foto Monitor)

Ecuria ekonomike e Shqipërisë sipas BB (Foto Monitor)

Sa i takon kursit të këmbimit, ai është në linjë me parashikimet e Bankës së Shqipërisë dhe ekspertët sqarojnë se ndërhyrjet bëhen vetëm në ato raste kur ka çrregullime të funksionimit të tregut.

“Vlerësimi i kursit të këmbimit ka qenë një veçori e kursit të këmbimit të lekut, ka qenë një veçori i zhvillimeve gjatë vitit 2022. Në këndvështrimin tonë, ecuria është në linjë me zhvillimet që kanë ndodhur në bilancin e pagesave, gjatë vitit 2022, ne kemi pasur tkurrje të deficitit tregtar, tkurrje të deficitit të llogarisë korente dhe rritje të fortë të remitancave dhe të investimeve të huaja direkte. Të gjitha këto kanë bërë që hyrjet neto të valutës në ekonominë shqiptare të kenë qenë më të larta se në vitin 2021, dhe kjo sigurisht që rritja e ofertës së valutës më tepër sesa kërkesa, sigurisht që ndikon edhe në ecurinë mbiçmuese të lekut apo të rënies së valutës. Ndërhyrjet bëhen vetëm në ato raste kur ka çrregullime të funksionimit të tregut. Aktualisht nga analiza jonë nuk na rezulton një gjë e tillë.”- thotë Shehu.