INSTAT: Inflacioni u ul në 4.6% në prill
2023-05-10 14:48:48

Foto nga ATSH

Inflacioni, i cili mat ndryshimin vjetor të çmimit të mallrave, po shfaq shenja të ndjeshme ngadalësimi për të gjashtin muaj me radhë, duke nisur nga nëntori i 2022-shit.

Instituti i Statistikave publikoi Indeksin e Çmimeve të Konsumit, sipas të cilit ndryshimi vjetor i çmimeve të konsumit në muajin prill ishte 4.6%, bën të ditur “ATSH”. Një vit më parë ky ndryshim ishte 6.2%. Ndryshimi mujor i çmimeve të konsumit në muajin prill 2023, krahasuar me marsin 2023 është 0.03%.

Nivelin më të lartë inflacioni e shënoi në muajin tetor të vitit të shkuar, kur arriti 8.3%. Krahasuar me muajin prill 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 9.6%, pasuar nga grupet “mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6.7%, “hotele, kafene dhe restorante” me 4.5%, “veshje dhe këpucë” me 3.9%, “pije alkoolike dhe duhan” me 3.8%, “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3.6%, “argëtim dhe kulturë” me 2.4%, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2.3%, “shërbimi arsimor” me 2.1%, “shëndeti” me 1.4% dhe “komunikimi” me 1.2%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “transporti” shënuan ulje me 10.7%.

Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 15.5%. (Elona)