Eksperti: Thatësira mund të rrisë çmimet e ushqimeve në Spanjë
2023-05-10 16:05:39

Foto nga VCG

Thatësira e madhe që ka prekur aktualisht Spanjën mund të nënkuptojë se çmimet e ushqimeve do të mbeten të larta, tha për “Xinhua” zëdhënësi i një shoqate të madhe bujqësore spanjolle.

Jaume Bernis, nga Koordinatori i Organizatave të Fermerëve, tha se nëse ka mungesë të produkteve vendase për shkak të thatësirës, atëherë ushqimet do të duhet të sillen nga jashtë dhe me çmime më të larta.

Spanja kishte normën më të ulët të inflacionit në Europë në muajin prill, me 3.8 për qind. Megjithatë, çmimet e ushqimeve mbeten të larta, duke u rritur me rreth 16.5 për qind që nga marsi 2022, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave të Spanjës (INE).

Bernis shpjegoi se çmimet e larta të ushqimeve në Spanjë janë nxitur nga rritjet deri në 45 për qind të çmimeve të lëndëve të para, energjisë dhe plehut.

“Kostoja e grurit po bie, po ashtu dhe kostot e energjisë dhe kjo mund të jetë një shenjë e parë që kostoja e ushqimit mund të fillojë të bjerë”,- tha Bernis.

Megjithatë, ai paralajmëroi se mungesa e shiut mund të parandalojë që kjo të ndodhë. Ndikimi i thatësirës aktuale në korrjen e ardhshme të grurit mund të sjellë kthimin e çmimeve të larta për lëndët e para të nevojshme për të ushqyer bagëtinë.

Çmimet e perimeve janë rritur më shumë se çdo produkt ushqimor në Spanjë deri tani këtë vit, sipas INE. Megjithatë, gjatë vitit të kaluar sheqeri është rritur me 50.4 për qind, gjalpi me 37.7 për qind dhe vaji i ullirit me 32.1 për qind. (Elona)