Parku i Liqenit - foto visit Tirana
Parku i Liqenit të Tiranës është një nga vendet më të pëlqyer për kryeqytetasit. Një argëtim që u kthye në traditë rreth viteve ’80, përmes piknikëve familjare, këngëve të liqenit dhe takimeve të dashurisë.
Sipërfaqja e Parkut përbëhet nga një masiv kodrinor me shpate me pjerrësi të vogël. Në pjesën jugore formohet pasqyra ujore e Liqenit Artificial që me shtrirjen e tij krijon gjire e gadishuj të vegjël shumë piktoreske. Por kjo hapësirë që frekuentohet sidomos sot prej mijëra qytetarësh e ka një histori.
Zona përmendet për herë të parë në vitet 1700 si vendbanim i vllehëve të ardhur në rrethinat e Tiranës. Ndryshimi i strukturës urbane erdhi njëherazi me shpalljen si kryeqytet më 1925 dhe territori iu nënshtrua planit rregullues të qendrës së re nga arkitekti roman, Armando Brazini, duke u konceptuar si Parku i Florës dhe Faunës. Mbreti Zog në këtë zonë ndërtoi Pallatin Mbretëror, e pranë tij vendosi edhe Memorialin e Nënës Mbretëreshë. U mendua t’i shërbente mbretërisë, por vetë Zogu nuk e frekuentoi asnjë ditë atë, pasi ai u largua nga Shqipëria përpara përfundimit të ndërtimeve.
Planimetria e projektit fillestar të Parkut - foto Bashkia Tiranë
Parku i Tiranes i parë nga lart - foto Albanian Post
Brenda parkut, në vitin 1938, iu dha leje Kishës Autoqefale të rindërtonte Kishën e Shën Prokopit. Masterplani italian nuk arriti të realizohej dhe parku u ndërtua me aksion popullor në fundvitet ‘50. Ky park është histori njerëzore e agronomëve, arkitektëve, specialistëve, punëtorëve të gjelbërimit dhe veçanërisht frekuentuesve pasionantë të tij.
Parku kufizohej nga lindja me Rrugën e Elbasanit, Pallatin e Brigadave, kodrën “Naltësia e saj”, me ndërtesën që fillimisht u ideua si konvikti “Nana Skenderbeg”, pastaj shërbeu si spital ushtarak, më vonë si Shkolla e Partisë dhe në vitin 1962 për Universitetin Gjeologji-Miniera; në veri Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Korpusi Qendror i Universitetit, Garda e Republikës dhe një digë me gjatësi 400 m, me qëllim që të pengonte ujin, nëse rrezikonte Tiranën. Mbi digë ishte rruga për këmbësorë që të çon te Kopshti Zoologjik e ai Botanik. Pjesa jugore nuk frekuentohej, pasi ishte e pabanuar e aty ndodhej vetëm fshati Sauk. Zona që e lidhte ishte Tirana e Re, me gjimnazin “Petro Nini” si pikë referimi.
Një ditë normale në Parkun e Liqenit - foto Albanian Post
Në parkun e Liqenit mungonin ndërtesat. Aty mund të gjeje vetëm Kishën e Shën Prokopit, memorialet e disa personaliteteve të njohura shqiptare, ndërsa më në brendësi të tij gjenden varret e ushtarëve britanikë dhe atyre gjermanë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitet ‘60-’70 parku nuk ishte i aksesueshëm për kryeqytetasit, pasi shërbente si zonë argëtuese për punonjësit e ambasadave që shëtisnin me biçikleta.
Më vonë, në vitin 1971 u ndërtua amfiteatri aktual. Ndërkohë, liqeni, bashkë me gjiret e vogla të vendosura në rrethinat e tij, me kalimin e viteve filuan të shërbejnë si plazhe të vogla për të rinjtë. Në liqen ka pasur edhe varka druri me lopata, me qira, varka ushtrie për manifestime, por edhe motoskafë. Liqeni është shfrytëzuar edhe nga amatorët e peshkut, që me orë të zgjatura qëndronin aty.
Një fushë basketbolli në Parkun e Tiranës - foto Albanian Post
Në vitet ‘80, vajtja te Liqeni u kthye në një formë argëtuese për familjet kryeqytetase. Gjithnjë e më shpesh nisën ta frekuentonin atë.
Gjithnjë e më tepër ky park nisi të bëhej streha e dashurisë për studentët e të rinjtë që vinin në këtë oaz të qetësisë , larg zhurmës dhe syrit të të tjerëve për të dhënë puthjet e tyre nën bekimin e kishës së Shën Prokopit.
Parku sot ofron ambiente natyrore, për kryerjen e aktiviteteve të ndryshme, si pushim, ecje, argëtimi, piknik e sport në harmoni të përhershme me natyrën.
Me projektin për transformimin e Parkut në një zonë atraktive, aty janë ngritu korsi, vrapimi, korsi për ecjen me biçikleta, kënde lojrash për fëmijë, fusha sportive, etj.
Konkretisht aty ndodhen tri fusha të përshtatshme për lojërat në grup, përkatësisht nga një fushë futbolli, basketbolli dhe volejbolli.
Pamje nga parku- foto Visit Tirana
Vrapimi dhe krosi i lehtë, janë dy aktivitetet kryesore sportive që bëhen masivisht nga qytetarët në park. Jo vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe sportistët profesionistë, zgjedhin shpeshherë këto mjedise për të kryer stërvitje. Të rinjtë e klubeve të kryeqytetit e kanë të zakonshme që një pjesë të stërvitjes ta kryejnë te parku i liqenit.
Ecja me biçikletë është gjithashtu sport masiv që zhvillohet në këto mjedise.
Duke parë interesin gjithnjë e në shtim për kryerjen e aktiviteteve sportive në parkun e liqenit, Bashkia e Tiranës ndërmerr herëpashere hapa për ndryshime dhe zhvillime të ambienteve sportive. Shtimi i pistave të vrapimit dhe rregullimi i atyre ekzistuese ka qenë dhe mbetet ndër synimet kryesore.
Neritana Kraja